Martens: Më shpejt Serbia do ta njihte Kosovën sesa të fillonte eksportimin e litiumit

Martens: Më shpejt Serbia do ta njihte Kosovën sesa të fillonte eksportimin e litiumit

Minierat e litiumit në Serbi duket se janë më shumë një ëndërr e pamundur sesa një realitet i afërt.

Gazetari i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, e ka bërë këtë të qartë në një analizë për çështjen e Kosovës dhe perspektivën e zhvillimit të projekteve minerare në vendin fqinj.


Martens thotë se për një kohë të gjatë ka besuar se diskursi mbi litiumin duhet të ndalet, pasi realisht Serbia nuk ka kapacitetin politik dhe social për të çuar përpara një projekt kaq të ndjeshëm.

“Fundi i historisë. Presidenti Vuçiq thjesht nuk mund ta lejojë që ky proces të vazhdojë, dhe kjo nuk është asgjë e re. Që nga nëntori ka qenë e qartë se projektet e litiumit janë të papranueshme për shumicën e qytetarëve serbë”, thekson ai.

Sipas Martens, Vuçiq po përpiqet të ruajë legjitimitetin dhe mbështetjen ndaj vetes përballë protestave të qytetarëve.

“Nëse projekti i litiumit do të hapej seriozisht, ai do të humbiste edhe më shumë mbështetje, sepse litiumi është një çështje e ndjeshme për një spektër të gjerë serbësh – të rinj e të vjetër, të majtë e të djathtë, qytetarë të qyteteve dhe të fshatrave. Politika e këtij projekti është thjesht e parealizueshme”, thekson Martens.

Gazetari gjerman shton se ndryshimi i mundshëm i qeverisë në Beograd nuk do të bënte asgjë për ta lejuar shfrytëzimin e litiumit, madje përkundrazi.

“Ky projekt nuk do të realizohet. Kam folur gjatë për këtë dhe po përgatis një artikull sepse disa njerëz në Gjermani ende besojnë se projekti Jadar do të realizohet, por kjo është plotësisht jorealiste. Serbia do ta njihte më shpejt Kosovën sesa të fillonte eksportimin e litiumit”, përfundoi ai, raporton N1, transmeton Telegrafi.