Maqedonia ndalet nga Kazakistani, gjithçka vendoset në Kardif

Maqedonia ndalet nga Kazakistani, gjithçka vendoset në Kardif

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut barazoi 1-1 me Kazakistanin në ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Botërorin 2026, duke e vështirësuar ndjeshëm rrugën drejt vendit të parë në grup, njofton Telegrafi.

Pas këtij barazimi gjithçka do të vendoset në përballjen e fundit kundër Uellsit në Kardif, duel që pritet të përcaktojë ekipin që do të shkojë në fazën e “play-off”-it përmes kualifikimeve. Ndërkohë, Belgjika me dy ndeshje të lehta në fund ka thuajse të sigurt vendin e parë.


Maqedonia nisi takimin me dy sulmues, Miovskin dhe Ristovskin, ndërsa mungesa e Visar Musliut solli ndryshime në mbrojtje. Kazakistani befasoi në fillim me lojë të hapur dhe krijoi disa raste të rrezikshme, por portieri Stole Dimitrievski reagoi në kohë. Pas dhjetë minutave presioni, “verdhekuqtë” u stabilizuan dhe filluan të kërcënojnë me disa aksione të shpejta, ndërsa më i rrezikshmi ishte Millan Ristovski pas një krosimi perfekt nga Ezgjan Alioski.

Në fund të pjesës së parë, Maqedonia pati tri raste të pastra për gol, Ristovski provoi me “gërshërë”, ndërsa edhe Vellkovski rrezikoi me kokë, por portieri Seisen shpëtoi miqtë nga goli.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri Bllagoja Milevski ndërhyri me dy zëvendësime ofensive duke futur Darko Çurlinovin dhe Tihomir Kostadinovin, por ishte Kazakistani që ndëshkoi i pari. Në minutën e 51-të, pas një konfuzioni në zonë, Karaman përfitoi dhe shënoi për 0-1. Reagimi erdhi shpejt, pas disa përpjekjeve, në minutën e 74-t, kapiteni Enis Bardhi ekzekutoi në mënyrë brilante një goditje dënimi nga 30 metra, duke barazuar në 1-1 dhe duke ndezur entuziazmin në Arenën “Todor Proeski”. Ky ishte goli i 20-të i Bardhit me fanellën e Maqedonisë.

Në minutat e fundit, Maqedonia shtoi presionin me rastet e Elmasit, Trajkovskit dhe Serafimovit, por rezultati nuk ndryshoi. Barazimi 1-1 u prit me zhgënjim në kampin vendas, pasi shanset për vendin e parë tashmë janë minimale, ndërsa gjithçka do të vendoset në duelin e fundit me Uellsin për pozitën e dytë dhe kualifikimin në “play-off”. /Telegrafi/