Maqedonia me një pikë ndaj Belgjikës, nuk e lëshon kreun e renditjes

Maqedonia me një pikë ndaj Belgjikës, nuk e lëshon kreun e renditjes

Portieri Dimitrievski në formë fantastike, mbrojtja shqiptare me Musliun dhe Alioskin e pathyeshme, ndërsa kapiteni Enis Bardhi udhëhoqi skuadrën drejt një barazimi historik 0–0 ndaj Belgjikës për të mbajtur kreun, njofton Telegrafi.

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut ka arritur një rezultat të madh në udhëtim, duke barazuar 0–0 ndaj Belgjikës në Gent dhe duke ruajtur vendin e parë në grupin kualifikues për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


Sfida ishte një “betejë” e vërtetë taktike, që ngjante shumë me atë të famshmen ndaj Italisë në Palermo. Belgjika dominoi gjatë gjithë ndeshjes, me mbi 25 gjuajtje drejt portës, por nuk arriti ta mposhtë një Maqedoni të fortë dhe të disiplinuar, me portierin Stole Dimitrievski që shkëlqeu mes shtyllave dhe me mbrojtjen që rezistoi në mënyrë heroike ndaj yjeve të Rudi Garcias.

Trajneri Bllagoja Milevski zgjodhi një formacion të fortë me sistemin 3-5-2, ku në mesin e fushës luajtën Atanasov, Kostadinov dhe kapiteni Enis Bardhi, ndërsa në mbrojtje qëndruan Visar Musliu dhe Ezgjan Alioski, të cilët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer.

Në minutën e 6-të, Salemaekers u përpoq të fitonte penallti, por arbitri turk Umut Meler e ndëshkoi me karton të verdhë për simulim. Pas disa përpjekjeve të belgëve, në minutën e 18-të Trossard e gjeti rrjetën, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Maqedonia u kërcënua për herë të parë me një goditje të lirë të kombinuar mes Bardhit dhe Elmasit, por mbrojtja belge reagoi në kohë.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri bëri disa ndryshime: Çurlinov zëvendësoi Ashkovskin, ndërsa Millan Ristovski mori vendin e Bojan Miovskit. Belgjika intensifikoi sulmet, por Dimitrievski reagoi tri herë në mënyrë të jashtëzakonshme, duke ndalur çdo përpjekje për gol.

Në minutat e fundit, Isnik Alimi dhe Stefan Despotovski u futën në lojë për të forcuar mesfushën dhe për të ruajtur rezultatin. Plani funksionoi, Maqedonia mbeti e pathyeshme dhe mori një pikë të madhe, ndërsa Belgjika doli nga fusha me zhgënjim dhe tension.

Pas këtij barazimi, Maqedonia e Veriut mbetet në krye të grupit me 12 pikë, e ndjekur nga Belgjika me 11 dhe Uellsi me 10 pikë, që ka një ndeshje më pak. Sfida e radhës për kuqeverdhët do të jetë të hënën, në Shkup, ndaj Kazakistanit, ku do të kërkojnë të mbajnë ritmin e jashtëzakonshëm drejt ëndrrës së Botërorit 2026. /Telegrafi/