Statistikat, simulimet dhe analizat janë bërë pjesë përbërëse e futbollit modern. Sot, ekzistojnë shumë mënyra për të vlerësuar gjasat e ekipeve dhe përfaqësueseve për renditjen në tabela gjatë garave të ndryshme, përfshirë edhe ato të kualifikimeve për Botërorin, njofton Telegrafi.
Një gjë e tillë po ndodh edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas analizave dhe simulimeve më të fundit, pavarësisht formës së mirë dhe pozitës aktuale në krye të grupit J, nuk shihet si favorite për të përfunduar në dy vendet e para të grupit kualifikues.
Për herë të parë pas shumë vitesh, Maqedonia e Veriut ndodhet në krye të grupit para fazës përmbyllëse, me 12 pikë të grumbulluara, një më shumë se Belgjika dhe dy më shumë se Uellsi, të cilët kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluara.
Visar Musliu kunder Torssard të BelgjikesFoto:Perfaqesuesja e Maqedonisë/Facebook
Megjithatë, sipas analizave statistikore, ekspertët mbeten skeptikë se ekipi i trajnerit Bllagoja Milevski do të mund ta ruajë këtë pozitë deri në fund të kualifikimeve.
Sipas parashikimeve, Maqedonia e Veriut ka vetëm 6.8% shanse për të përfunduar në vendin e parë të grupit, ndërsa Uellsi ka 26.2%, dhe Belgjika shihet si favorit absolut me 67% shanse për ta mbyllur në krye. Llogaritjet projektojnë që Belgjika do të përfundojë me 20 pikë, Uellsi me 16, ndërsa Maqedonia me 15.
Në garën për vendin e dytë, Uellsi ka epërsi me 45.6% shanse për sukses, kundrejt 25.3% të Maqedonisë së Veriut. Deri në fund të ciklit, kuqeverdhët kanë edhe dy sfida të rëndësishme përpara, kundër Kazakistanit dhe Uellsit, ndërsa rivalët e drejtpërdrejtë kanë për të zhvilluar nga tre ndeshje. /Telegrafi/