Maqedonci takon shefin e ushtrisë turke, diskutojnë për sigurinë në Ballkan

news image

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të premten priti shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjeneral Selçuk Bayraktaroglu.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, në takim u diskutua rreth situatës së sigurisë në Ballkan dhe bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet dy shteteve.

Maqedonci falënderoi Bayraktaroglun për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive, duke theksuar se ai “është rezultat i urave të ndërtuara përmes kulturës dhe ekonomisë”.

“Nga ana e tij, gjeneral Bayraktaroglu e siguroi ministrin Maqedonci se do të vazhdojë bashkëpunimi në trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së, ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes, si dhe në fushën e industrisë së mbrojtjes përmes bashkëpunimit me kompaninë shtetërore MKE dhe kompani të tjera”, thuhet në njoftim.

Të dy u dakorduan se Kosova ka vendin e saj në NATO dhe se “hapat e ndërmarrë në transformimin e FSK-së e bëjnë Kosovën, në të ardhmen e afërt, një aleat të vyer të aleancës euroatlantike”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/