Manovrat e VV-së bëjnë Kushtetuesen të “ngrijë” sërish Kuvendin për të shmangur ‘dëme të pariparueshme’

news image

Për të dytën herë brenda pak më shumë se një muaji, Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë për t’i dhënë frenat deputetëve të Kosovës, duke bllokuar çdo veprim të tyre për të “evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme” që po shkakton Lëvizja Vetëvendosje me manovrat e saj antikushtetuese.

Devijimi i qëllimshëm dhe i kalkuluar i seancave konstitutive nga praktikat e mëparshme parlamentare shkaktoi bllokadë disa mujore të Kuvendit, duke penguar konstituimin e tij, dorëzimin e mandatarit nga Presidentja dhe rrjedhën e afateve ligjore për formimin e Qeverisë së re.

Më 7 gusht, Kushtetuesja shpalli të pavlefshme seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik dhe konstattoi se kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari, kishte vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit, duke kërkuar rikthimin e procesit në binarët kushtetues.

Gjykata urdhëroi vijimin e rendit të ditës me pikën 3 – propozimin e kandidatit të grupit më të madh parlamentar – përmes votimit të hapur dhe jo më shumë se tri tentativa për të njëjtin kandidat. Të gjithë deputetët u detyruan të marrin pjesë dhe të votojnë, dhe u caktua afati 30-ditor për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Ky akt hapi rrugën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ku pas disa tentativave, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit arriti të sigurojë votat për Dimal Bashën, i cili u zgjodh kryetar më 26 gusht.

Megjithatë, Vetëvendosje vijoi praktikën e mëparshme edhe pas ndryshimit të kryesuesit, duke vonuar zgjedhjen e nënkryetarëve nga komuniteti serb. Basha deklaroi: “Moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët nuk mund të përdoret si pengesë për bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Për mënyrën e vijimit të punës, do të konsultohem me Kryesinë e Kuvendit ditën e hënë.”

Pas shpalljes së seancës të konstituuar, Lista Serbe dorëzoi kërkesë në Kushtetuese, duke kontestuar mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë. Partia kërkoi që votimi të zhvillohet në formë të unifikuar, si “paketë”, në përputhje me praktikat parlamentare të mëparshme.

Lista Serbe kërkoi gjithashtu vendosjen e një mase të përkohshme nga Kushtetuesja, duke argumentuar se rrezikohet rrjedhja e afateve ligjore për formimin e Qeverisë së re.

Dje, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të Kuvendit, përfshirë çdo procedurë të mëtejshme për formimin e Qeverisë, si një masë e domosdoshme për të “evituar rreziqe apo dëme të pariparueshme” që lidhen me themelimin e institucioneve dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën.

Si rrjedhojë, u vendos një masë e përkohshme: ndalimi i çdo veprimi të deputetëve dhe çdo procedure për formimin e Qeverisë, me efekt nga data 5 shtator 2025 deri më 30 shtator 2025.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/