Manchester United në krizë, lojtarët po fillojnë të humbasin besimin te sistemi i Ruben Amorim

Manchester United në krizë, lojtarët po fillojnë të humbasin besimin te sistemi i Ruben Amorim

Manchester United vazhdon të mbështesë trajnerin Ruben Amorim, por sipas Daily Mail, disa lojtarë kanë filluar të humbasin besimin në sistemin e tij mes krizës së rritshme në Old Trafford.

Pas humbjes së rëndë 3-0 në derbin kundër Manchester Cityt, trajneri portugez deklaroi se do të preferonte të shkarkohej sesa të hiqte dorë nga filozofia e tij e futbollit.


Amorim ende gëzon mbështetjen e pronarit Sir Jim Ratcliffe dhe hierarkisë së klubit, megjithatë, raportimet sugjerojnë se disa futbollistë kanë vështirësi në përshtatjen me formacionin 3-4-2-1, që u prezantua pas ardhjes së tij në vend të Erik ten Hag nëntorin e kaluar.

Ruben Amorim

United kishte shpresuar se një parasezon i plotë nën drejtimin e 40-vjeçarit dhe investimi prej gati 300 milionë euro në afatin kalimtar veror do të sillnin kthesën e shumëpritur.

Por, sezoni ka nisur në mënyrën më të dobët në 33 vitet e fundit – me vetëm katër pikë nga katër ndeshjet e para të Premier Ligës dhe një eliminim befasues nga Kupa Carabao, ndaj ekipit të kategorisë së katërt, Grimsby Town.

Sipas burimeve të brendshme, lojtarët ende nuk janë plotësisht të adaptuar me kërkesat e Amorimit, ndërsa raportohet se edhe kapiteni Bruno Fernandes nuk ndihet komod në rolin e tij të ri më të thellë në mesfushë.

Amorim

Megjithatë, nga brenda klubit theksohet se nuk është e drejtë të pretendohet se Amorim e ka humbur dhomën e zhveshjes, pasi ai vazhdon të ketë mbështetjen e pjesës më të madhe të skuadrës. /Telegrafi/