Manchester United kthehet te fitorja, mposht Sunderlandin në ‘Old Trafford’

Manchester United kthehet te fitorja, mposht Sunderlandin në ‘Old Trafford’

Manchester United ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Sunderlandit në kuadër të javës së shtatë në Ligën Premier.

‘Djajtë e Kuq’ kaluan në epërsi qysh në minutën e tetë përmes Mason Mount i cili realizoi një gol të bukur për 1-0 pas asistimit nga Bryan Mbeumo.


Vendasit patën një mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin në minutën e 24-të, por goditjen e fuqishme të Bruno Fernandes, e ndali portieri mysafir.

Të besuarit e Ruben Amorim e shënuan eventualisht edhe golin e dytë, ku autor i tij ishte Benjamin Sesko që me instiktin e një sulmuesi ‘vrasës’ gjeti rrjetën për 2-0.

Pak çaste para përfundimit të pjesës së parë, gjyqtari i ndeshjes u ftua nga VAR-i për të rishikuar një aksion për penallti të mundshme në favor të Sunderlandit, por vendosi që gjithçka ishte e pastër.

Në pjesën e dytë ra intensiteti i lojës, me mysafirët që nuk arritën assesi që të krijonin ndonjë rrezik për portën e Unitedit.

Kështu, ‘Djajtë e Kuq’ ia dolën të rikthehen tek fitoret në elitë, pas disfatës që pësuan me rezultat 3-1 nga Brentfordi xhiron e kaluar.

Ata tashmë pas shtatë ndeshjeve të luajtura numërojnë 10 pikë dhe gjenden aktualisht në pozitën e tetë në renditje./Telegrafi/