Bordi i Manchester United e ka vendosur Kenan Yildiz në krye të listës së dëshirave për afatin kalimtar veror të vitit 2026.
Sipas mediave angleze, “Djajtë e Kuq” janë të gatshëm të investojnë një shumë të konsiderueshme për të siguruar shërbimet e sulmuesit turk, që po shkëlqen këtë sezon me Juventusin.
Edhe pse sezoni sapo ka filluar, drejtuesit e United po punojnë me vizion afatgjatë dhe e shohin Yildiz si një element të rëndësishëm për të ardhmen e klubit.
20-vjeçari po kalon një formë fenomenale në Serie A, me pesë gola dhe gjashtë asistime në 12 paraqitje për skuadrën e “Zonjës së Vjetër”.
Të vetëdijshëm për konkurrencën e fortë nga klubet e tjera dhe rezistencën e Juventusit, United po përgatitet të bëjë një ofertë të madhe. Sipas gazetarit Mark Brus, klubi anglez është gati të arrijë deri në 90 milionë euro, një shumë që do ta vendoste Yildiz ndër transferimet më të shtrenjta në historinë e klubit.
Në këtë situatë, e ardhmja e Kenan Yildiz pritet të varet nga qëndrimi i vetë lojtarit. Nëse ai refuzon të zgjasë kontratën me Juventusin, drejtuesit bardhezi mund të detyrohen të shqyrtojnë shitjen e tij në fund të këtij sezoni.
Sidoqoftë, Manchester United pritet ta ndjekë nga afër zhvillimin e tij në muajt e ardhshëm, në një garë që pritet të jetë e nxehtë mes klubeve të mëdha evropiane. /Telegrafi/