Skauti i Manchester United ka dalë me shumë gjasa i kënaqur nga “San Siro” të dielën në mbrëmje, pas fitores 1-0 të Atalantës ndaj Milanit, duke u bindur edhe më shumë për të intensifikuar ndjekjen ndaj dy yjeve të skuadrës nga Bergamo, të cilët i kanë monitoruar prej muajsh.
Nuk është më sekret që “Djajtë e Kuq” e kanë vënë në shënjestër mesfushorin Ederson si një përforcim të mundshëm për sezonin e ardhshëm, dhe interesi për 25-vjeçarin u konfirmua sërish gjatë javës së fundit të Serie A, ku ai shkëlqeu dhe i siguroi tre pikët skuadrës së tij.
Sipas ekspertit të merkatos Nicolò Schira, gjiganti i Premier League dërgoi një skaut në “San Siro” të dielën, me detyrën për të përgatitur një raport mbi Edersonin dhe gjithashtu bashkëlojtarin e tij, sulmuesin Mateo Retegui.
Ky hap thuhet se pason një kontakt paraprak që Manchester United ka pasur me agjentët e të dy lojtarëve në javët e fundit, për të diskutuar një transferim të mundshëm drejt “Old Trafford” verën e ardhshme.
Ederson realizoi golin e tij të katërt në Serie A këtë sezon kundër Milanit, ndërsa Retegui aktualisht kryeson listën e golashënuesve të kampionatit me 23 gola në 31 paraqitje.