Nëse fiton zgjedhjet, Zohran Mamdani do të urdhërojë Departamentin e Policisë së New Yorkut të arrestojë Benjamin Netanyahun në rast se kryeministri izraelit udhëton ndonjëherë atje.
Mamdani – kandidati demokrat në zgjedhjet e 4 nëntorit – i deklaroi New York Times se “Netanyahu është një kriminel lufte që kreu gjenocid me fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza”.
Ai tha se do të respektonte një urdhërarresti të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) të lëshuar në nëntor 2024 për arrestimin e Netanyahut për krime të dyshuara lufte në Gaza duke e ndaluar udhëheqësin izraelit në aeroport nëse ai ndonjëherë shkel në New York dhe Mamdani është kryetar.
“Kjo është diçka që kam ndërmend ta përmbush. Dëshira ime është të sigurohem që ky është një qytet që mbron të drejtën ndërkombëtare”, vuri në dukje Mamdani, duke përsëritur një premtim që kishte bërë më parë.
Në New York, komisioneri i policisë së qytetit shërben sipas dëshirës së kryetarit.
Por raporti i Times citoi ekspertë ligjorë të kenë thënë se arrestimi i Netanyahut “do të ishte praktikisht i pamundur” për Mamdanin dhe mund ta fusë atë në konflikt të drejtpërdrejtë me qeverinë federale.
SHBA-të nuk e njohin autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk janë palë në këtë organ, i cili ka selinë në Hagë, Holandë.
Në shkurt, Donald Trump urdhëroi sanksione ekonomike kundër Gjykatës, me presidentin që pretendonte se ajo nuk ka juridiksion mbi SHBA-në ose Izraelin.
Netanyahu, nga ana e tij, tha në një takim me Trumpin në korrik se “nuk ishte i shqetësuar” për dëshirat e Mamdanit për ta arrestuar atë.
Ai sugjeroi se do të udhëtonte me Trumpin dhe pastaj “do ta shohim” nëse ai arrestohet.
Siç vuri në dukje Times, Trump shtoi më pas se Mamdani “të sillet më mirë – përndryshe do të jetë në telashe të mëdha”. /Telegrafi/