Një rast i shkeljes së rregullave doganore është zbuluar në Pikën Kufitare të Kalimit në Vermicë, ku zyrtarët doganorë kanë identifikuar mallra të padeklaruara në një automjet të tipit “Old Timer”.
Gjatë një kontrolli të detajuar, në automjet janë gjetur autopjesë të ndryshme, të reja dhe të përdorura, të fshehura në disa pjesë të veturës.
“Zyrtarët doganorë kanë kryer një kontroll të detajuar, gjatë të cilit kanë zbuluar mallra të padeklaruara, konkretisht autopjesë të ndryshme, të reja dhe të përdorura, të cilat ishin të vendosura në bagazh, në pjesën e përparme dhe të pasme të veturës. Ky veprim përbën kundërvajtje doganore për mosdeklarim të saktë të mallrave, duke shkelur rregullat ligjore dhe duke rrezikuar sigurinë e tregut vendor. Automjeti dhe mallrat e padeklaruara janë ndaluar përkohësisht në PKK Vermicë, dhe po ashtu është iniciuar procedura ligjore dhe administrative përkatëse në lidhje me rastin”, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se Dogana e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim angazhimin e saj në luftimin e veprimeve të paligjshme në kufi, me qëllim mbrojtjen e ekonomisë kombëtare dhe garantimin e një ambienti të sigurt për qytetarët. /Telegrafi/