Ka filluar zyrtarisht ndërtimi i qendrës për të moshuar, fëmijë me nevoja të veçanta dhe kuzhinës humanitare në Malishevë, një investim i vlerësuar mbi 3 milionë euro.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrai, në një ditë që e konsideroi të veçantë, ka nënshkruar dhe vënë gurthemelin e këtij projekti.
Ai falënderoi humanistin dhe qytetarin nderi të komunës, Halil Kastrati, themelues i Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, për bashkëfinancimin e projektit.
“Ky projekt madhor është përmbushje e përkushtimit tonë për të ofruar mbështetje për të moshuarit, fëmijët me nevoja të veçanta dhe kategori të tjera të shoqërisë sonë që ballafaqohen me vështirësi ekonomike”, tha kryetari i komunës.
Sipas planit, qendra do të ofrojë shërbime të dedikuara për komunitetin dhe pritet të përfshijë hapësira të përshtatura për aktivitete sociale, kujdes shëndetësor dhe asistencë humanitare.
Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin social dhe humanitar të komunës së Malishevës. /Telegrafi/