Mahmoud Abbas thotë se Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta

Mahmoud Abbas thotë se Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta

Presidenti i Palestinës u tha udhëheqësve botërorë të enjten se populli i tij “e refuzon” sulmin e vitit 2023 të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit dhe u zotua se grupi militant nuk do të ketë rol në qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta e vazhdueshme Izrael-Hamas.

Duke folur nëpërmjet videos pasi Shtetet e Bashkuara i revokuan vizën, Mahmoud Abbas i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se palestinezët në Gaza “janë përballur me një luftë gjenocidi, shkatërrimi, uria dhe zhvendosjeje” nga Izraeli.


Pasi shpjegoi në detaje vdekjet dhe shkatërrimin në Gaza, Abbas tha se Autoriteti Palestinez (AP) – të cilin ai kryeson – e refuzon inkursionin e kryer nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe se nuk përfaqëson popullin e tyre.

Në atë sulm, Hamasi dhe grupe të tjera militante vranë rreth 1,200 njerëz, shumica prej tyre civilë. 251 persona të tjerë u morën peng në Gaza, ku 48 prej tyre ende mbahen, 20 prej të cilëve Izraeli beson se janë gjallë.

Abasi gjithashtu paraqiti vizionin e tij për atë se si do të dukej qeveria në territore pasi të mbarojë lufta, duke thënë se AP është “e gatshme të mbajë përgjegjësi të plotë për qeverisjen dhe sigurinë”.

Ai shtoi se “Hamasi nuk do të ketë asnjë rol për të luajtur në qeverisje” dhe se do të duhet t’ia dorëzojë të gjitha armët AP-së.

“Nuk mund të ketë drejtësi nëse Palestina nuk çlirohet”, tha Abbasi.

Në një fjalim të shkurtër por të vendosur, Abbasi falënderoi udhëheqësit botërorë që kanë mbrojtur palestinezët gjatë gjithë luftës në Gaza, duke thënë se njohja e fundit e shtetësisë palestineze i ka dhënë popullit të tij shpresë për paqe dhe një fund të konfliktit.

Ai përshëndeti njoftimet e fundit nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja për të njohur Palestinën si një shtet të pavarur dhe u bëri thirrje vendeve të mbetura të bëjnë të njëjtën gjë.

Por, shtoi ai, kjo njohje simbolike nuk është e mjaftueshme për t’iu përgjigjur momentit aktual.

“Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të bëjë të drejtën ndaj popullit palestinez, në mënyrë që ata të mund të fitojnë të drejtat e tyre legjitime për t’u çliruar nga pushtimi dhe për të mos mbetur peng i temperamentit të politikës izraelite, e cila mohon të drejtat tona dhe vazhdon në padrejtësinë, shtypjen dhe agresionin e saj”, tha Abbas.

Para se të përfundonte, ai i dërgoi një mesazh shprese popullit palestinez, duke thënë se pavarësisht se sa gjatë vazhdojnë vuajtjet, “rezultatet e tyre nuk do ta thyejnë vullnetin tonë për të jetuar dhe mbijetuar”.

“Agimi i lirisë do të lindë dhe flamuri i Palestinës do të valëvitet lart në qiellin tonë si një simbol i dinjitetit, vendosmërisë dhe të qenit i lirë nga pushtimi”, tha Abbas. “Ne nuk do ta lëmë atdheun tonë. Ne nuk do t’i lëmë tokat tona”. /Telegrafi/