Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se çdo përpjekje e Izraelit për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor do të përbënte “vija e kuqe” për SHBA-në dhe do të shënonte fundin e normalizimit diplomatik arabo-izraelit.
Macron shtoi se këtë garanci e mori gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ai zbuloi gjithashtu se i kishte paraqitur Trumpit një plan trefaqësh mbi të ardhmen e Palestinës, bazuar në Deklaratën e Nju Jorkut – dokument i miratuar nga më shumë se 143 shtete, që propozon përjashtimin e Hamasit nga sundimi i ardhshëm në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Macron theksoi se qëllimi i takimit me Trump ishte që Amerika, Evropa dhe shtetet arabe të qëndronin në të njëjtën linjë. Ai shtoi se njohja franceze e shtetit të Palestinës synon hapjen e një procesi paqeje, të cilin e quajti rruga më e mirë për izolimin e Hamasit, ndërsa vuri në dukje se disa zyrtarë izraelitë janë të vendosur të prishnin çdo zgjidhje politike.
“Objektivi i disave nuk është të luftojnë Hamasin, por më tepër të minojnë mundësinë e një rruge drejt paqes. Nuk ka Hamas në Bregun Perëndimor”, tha Macron.
Ai kritikoi gjithashtu strategjinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për luftë totale, duke e quajtur një dështim, pasi sipas tij vetëm rrezikonte pengjet dhe nuk ka arritur të zvogëlojë madhësinë e Hamasit.
“Ka po aq luftëtarë të Hamasit sa më parë. Lufta totale nga një këndvështrim praktik nuk po funksionon. Kjo luftë është një dështim”, tha Macron.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!