Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, po planifikojnë të paraqesin prova fotografike dhe shkencore në një gjykatë amerikane për të vërtetuar se znj. Macron është grua.
Avokati i tyre thotë se presidenti francez dhe zonja e tij do ta paraqesin këtë “dokumentacion” në një padi për shpifje që kanë ngritur kundër influencueses së krahut të djathtë Candace Owens, pasi ajo shprehu bindjen e saj se Brigitte Macron kishte lindur mashkull.
Avokatët e Owens janë përgjigjur me një mocion për të rrëzuar kërkesën.
Duke folur për podkastin Fame Under Fire, avokati i çiftit presidencial në këtë çështje, Tom Clare, tha se Brigitte i kishte gjetur pretendimet “jashtëzakonisht shqetësuese” duke shtuar se ato ishin një “shpërqendrim” për presidentin francez.
Kur u pyet nëse familja Macron do të ofronte fotografi të Brigitte shtatzënë dhe duke rritur fëmijët e saj, Clare tha se edhe ato ekzistojnë dhe do të paraqiten në gjykatë sipas të gjitha rregullave dhe standardeve.
Owens, një ish-komentatore për median konservatore amerikane Daily Wire, e cila ka miliona ndjekës në mediat sociale, ka promovuar vazhdimisht pikëpamjen e saj se Brigitte Macron është burrë.
Në mars të vitit 2024, ajo pretendoi se do të vinte në rrezik “të gjithë reputacionin e saj profesional” për këtë akuzë.
Akuza filloi në hapësirat periferike online vite më parë, veçanërisht përmes një videoje në YouTube të vitit 2021 nga blogeret franceze Amandine Roy dhe Natacha Rey.
Fillimisht, familja Macron fitoi një çështje për shpifje në Francë kundër Roy dhe Rey në vitin 2024, por ky vendim u rrëzua në apel në vitin 2025 për shkak të lirisë së shprehjes, jo në bazë të së vërtetës. Familja Macron po e apelon vendimin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!