LVV përmbyll fushatën në Prishtinë – Çeku: Prishtina bëhet me zemër, jo me zemërim

LVV përmbyll fushatën në Prishtinë – Çeku: Prishtina bëhet me zemër, jo me zemërim

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale në Prishtinë me një tubim, ku kandidati për kryetar të kryeqytetit, Hajrulla Çeku, ka mbajtur një fjalim para simpatizuesve dhe qytetarëve të pranishëm.

Në adresimin e tij, Çeku theksoi se ndërtimi i një Prishtine më të mirë kërkon përkushtim, punë dhe dashuri për qytetin, jo improvizime apo marketing politik.


“Prishtina bëhet me zemër e jo me zemërim. Prishtina bëhet me punë, jo me pijare, bëhet me pastrim, jo me ambalazhim. Prishtina bëhet me themel, jo me fejsbuk. Prishtina don durim, jo improvizime. Prishtina do përkushtim, jo trika. Prishtina do zhvillim, jo rendera. Prishtina do drejtësi, jo dosta e jarani,” ka deklaruar Çeku.

Ai shtoi se kryeqyteti meriton të jetë simbol i bukurisë, dinamizmit dhe inovacionit, duke vlerësuar rininë si forcën kryesore të zhvillimit ekonomik.

“Prishtina e do të bukurën, dinamikën, gjallërinë, modernën, inovacionin, jetën e natës, turizmin, lojërat mesdhetare, kulturën, rininë e saj si motor të zhvillimit ekonomik,” theksoi ai.