Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se qëndron në krah të qytetarëve që protestojnë në Tiranë, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas partisë, qëndrimi i saj ndaj Gjykatës Speciale mbetet i pandryshuar.
Sipas VETËVENDOSJE!, Gjykata Speciale nuk u krijua rastësisht. Ideja nisi që në vitin 2008 me një rezolutë të propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, dhe u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.
Partia thekson se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme, ndërsa pretendimet e Prokurorisë për ekzistencën e një grupi kriminal brenda UÇK-së janë të pasakta dhe të padrejta. “UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive ndaj popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.
VETËVENDOSJE! i bën thirrje edhe aktorëve dhe politikanëve që protestojnë të reflektojnë mbi qëndrimet e tyre të mëparshme karshi Gjykatës Speciale. Partia sjell shembullin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili në vitin 2015 kishte vizituar Kosovën për të lobuar pro themelimit të kësaj gjykate.
“Si atëherë më 2015, ashtu edhe sot më 2025, VETËVENDOSJE! është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën, dhe e vërteta është në anën e luftës dhe përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi”, theksohet në deklaratë.
Po ashtu, partia kërkon nga institucionet e Shqipërisë dhe shtetet mike të Kosovës që të përdorin forumet ndërkombëtare për të mbrojtur të vërtetën e luftës së UÇK-së dhe për të çuar përpara drejtësinë, duke përfshirë njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë dhe Ballkan.