Lëvizja Vetëvendosje pret që Gjykata Kushtetuese ta konsiderojë Kuvendin e Kosovës të konstituar, pasi, siç thonë, kryeparlamentari Dimal Basha ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara në procesin e votimit të nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Gjashtë ditë para përfundimit të masës së përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja, në LVV thonë se nuk duhet të bllokohen institucionet e Kosovës për shkak të veprimeve të Listës Serbe, meqë siç deklarojnë, ajo është përcaktuar si formacion kundër shtetësisë së Kosovës.
“Ne presim që Kuvendi të quhet i konstituar, ngase Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe rregulloren. Nuk presim që të bllokohen institucionet e Kosovës për shkak të veprimeve të Listës Serbe që është përcaktuar si formacion kundër shtetësisë së Kosovës”, thotë zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka për KosovaPress.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme mbi bazën e ankesës së Listës Serbe, e cila erdhi pasi kryeparlamentari, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën të zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha, në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.