Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, është deklaruar sërish para gazetarëve te Kuvendi i Kosovës, ku është pyetur për çështjen e presidentit.
Pasi doli nga mbledhja e grupit parlamentar, Lushtaku tha se kjo parti nuk do ta mbështes asnjë kandidat që propozohet nga VV-ja, përfshirë Andin Hotin, emri i të cilit u përmend sot.
Sipas tij, qëndrimi i kësaj partie mbetet i njëjtë, transmeton Klankosova.tv
“Qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari ta votojmë, por e pamë qëndrimin e tyre. Derisa ka tentime me i dërgu në qosh opozitën dhe me imponu kandidatin tyre, ne nuk pranojmë dhe me përgjegjësi qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që kemi dhënë që mos me qenë mbështetëse të një pushteti autoritar. Ne e respektojmë çdo familje të respektuar edhe Andinin e kemi pas koleg, por ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në VV nuk kemi votë për të.”
Lushtaku tha se nuk do të qëndrojnë në sallë, por që “PDK-ja është e gatshme me dhënë emrin nëse ka marrëveshje”.


