Lumi “Shtimjanja” po merr një pamje të re falë punimeve që po zhvillohen me intensitet përgjatë gjithë gjatësisë së tij, nga qyteti i Shtimes deri në fshatrat Petrovë, Reçak, Belinc, Davidoc, Rashincë, Muzeqinë dhe Vojnoc.
Ky projekt madhor i Komunës së Shtimes, me vlerë mbi 7 milionë euro, synon rregullimin e shtratit të lumit, mbrojtjen e tokave bujqësore nga përmbytjet dhe krijimin e një mjedisi më të pastër e më tërheqës për banorët, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu, tha se përfundimi i këtij projekti do t’i japë lumit “Shtimjanja” pamjen dhe funksionalitetin që qytetarët e kanë pritur prej kohësh.
“Së shpejti, qytetarët e komunës sonë do ta kenë një shtrat lumi të rregulluar, të pastër dhe një hapësirë që do të shtojë bukurinë natyrore të qytetit dhe fshatrave. Ky investim do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët”, deklaroi kryetari Aliu.
Përveç përmirësimit estetik, projekti përfshin edhe ndërhyrje teknike për parandalimin e ndotjes dhe dëmeve materiale, duke e bërë lumin “Shtimjanja” një hapësirë funksionale dhe të sigurt për komunitetin. /Telegrafi/