Pjesëmarrja e mbrojtësit kosovar Lumbardh Dellova në ndeshjen mes CSKA Sofias dhe Ludogoretsit mbetet në dyshim, kanë raportuar të hënën disa mediume bullgare.
Dellova ka munguar në dy ndeshjet e fundit të skuadrës shkaku i një problemi muskulor dhe ende nuk është e qartë nëse do të rikuperohet në kohë për derbin e javës së 11-të të kampionatit bullgar, që zhvillohet të dielën.
“Ende nuk është e sigurt nëse Ivan Turitsov dhe Lumbardh Dellova do të jenë gati për këtë ndeshje”.
Lumbardh Delllova
“Të dy mbrojtësit kanë probleme me lëndimet, por tashmë po punojnë intensivisht për t’u rikthyer. Në ditët në vijim do të merret vendimi përfundimtar”, shkruan sajti bullgar Gol.
Dellova, i konsideruar një prej lojtarëve më të rëndësishëm të mbrojtjes së CSKA-së, këtë sezon ka shënuar një gol në shtatë paraqitje. Ai pritet të jetë gati për Kosovën për ndeshje të tetorit.
Ai ka kontratë me klubin bullgar deri më 30 qershor 2027, pasi iu bashkua nga Ballkani i Suharekës. /Telegrafi/