Ish-presidenti Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive nga Haga për Rubikon të Klan Kosovës, ka ndarë momentet emocionuese nga vizita në vendlindje, tri ditë pasi i kishte vdekur babai.
Ai tha se në varrezat e fshatit ku ishte shtuar edhe varr i babait të tij, në rrethana të pazakonta e të paimagjinueshme qëndroi në nderim për 9 minuta, për siç u shpreh “një minutë nderim për çdo dekadë të jetës së tij”.
Thaçi, ka rikujtuar edhe fjalët që nëna e tij ia përsëriste atë ditë, në shtëpinë e tyre në Burojë.
“Pas pak në shtëpi, në Burojë, takoj nënën. Jo e lehtë – qëndronte e fortë dhe e qetë. Ngushëlluam njëri-tjetrin, fjalët që atë ditë më përsëriste ishin: “Lum baba yt për vete, e lum ti për babën”. Drekuam së bashku”.
“Shumicën e kohës e kaluam ulur në kopshtin e oborrit, e ndjeja thellësisht dashurinë e saj dhe ngrohtësinë e shkëlqimit të rrezeve të diellit. Atë ditë disi ndihesha me faj, sepse shpesh kam qenë burim i shqetësimeve për ta, para, gjatë dhe pasluftës”, tha Thaçi në Rubikon.
Tutje, ai u shpreh se gjatë fluturimit, duke u kthyer në Hagë ishte i zhytur në mendime të pafundme për babanë, Haxhiun, vdekja e të cilit tha se ka ndryshuar shumë.
“Nuk është fshehtësi, vdekja e tij më ka ndryshuar shumë – është zbrazëti që nuk po e mbushë assesi. Po jetoj me ndjesinë dhe pikëllimin, koha nuk po e zbut, po e ruan dhimbjen. Mendoj për ditët e mëhershme kur ishte gjallë, ndiej një ringjallje të tij në jetën time”.
“Ai la një dritë e cila nuk do të fiket kurrë në familjen tonë. Por sot ky është fatalitet, jo fat im në këtë fazë të jetës. Jam i vetëdijshëm se mërzia dhe burgu nuk shkojnë bashkë. Nuk harroj që nëse jo trupin, kudo dhe në çdo rrethanë mendjen e kam të lirë për të menduar, por të kufizuar për t’u shprehur”, tha Thaçi. /Klankosova.tv
The post “Lum baba yt për vete, e lum ti për babën” – Hashim Thaçi kujton fjalët me të cilat e ngushëlloi nëna appeared first on Klan Kosova.