Luis Suarez po luan një rol vendimtar në një lëvizje të bujshme të mbrojtësit Ronald Araujo drejt Liverpoolit.
Sipas E-Noticies, ish-sulmuesi i Liverpoolit dhe Barcelonës ka marrë vetë përsipër të bindë bashkëkombësin e tij që të transferohet në “Anfield”.
Suarez, i cili gëzon respekt të madh te futbollistët uruguaianë dhe ka lidhje të ngushta me Liverpoolin, raportohet se ka kontaktuar personalisht Araujon për ta inkurajuar të bashkohet me kampionët në fuqi të Ligës Premier.
Araujo është prej vitesh një nga mbrojtësit më të vlerësuar në botë. Ai iu bashkua Barcelonës në vitin 2018 dhe ka fituar dy herë La Ligan, duke u rikuperuar nga disa dëmtime serioze.
Luis Suarez dhe Ronald Araujo
Deri tani, ai ka regjistruar 178 paraqitje me blaugranat, ku ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 7 asistime. Përveç qendrës së mbrojtjes, shpesh e kanë përdorur edhe si mbrojtës i djathtë, falë forcës fizike dhe shpejtësisë.
Liverpooli prej kohësh e sheh Araujon si pasuesin afatgjatë të Virgil van Dijk, i cili tashmë është 34 vjeç. Sipas raportimeve të fundit, klubi anglez po përgatit një ofertë prej 50 milionë eurosh për ta bindur Barcelonën të pranojë shitjen.
Raporti shton se lojtari është i vetëdijshëm për interesimin e “The Reds” dhe për vendosmërinë e tyre për ta transferuar në “Anfield”./Telegrafi/