Para 12 vjetëve u kthye përfundimisht nga Gjermania në Kosovë dhe filloi të investojë në vendlindje.
Kompania “Muri Vinkëll”, me pronar Bekim Shehun, ka filluar punën e saj të prodhimit të këtij lloj muri që në 2013-ën, në fshatin Maxharrë të Malishevës, por që puna thotë të ketë marrë hov tek pas dy vjetëve.
Shehu, në një intervistë për Kiks Kosovën, tha që këtë lloj muri ky për herë të parë nisi ta prodhojë në Kosovë.
Andaj duke qenë kështu, nga ish-shefi i tij gjerman, ai e kuptoi që mund të aplikonte për të drejtën e dizajnit industrial.
Sipas ligjit Nr. 08/L-055 për dizajnin industrial, nenit 5, e drejta e dizajnit industrial mbrohet deri në atë shkallë që dizajni të cilësohet i ri dhe të ketë karakter individual.
Bazuar në nenin 17 të po këtij ligji, pronari i dizajnit industrial e ka të drejtën ekskluzive për përdorimin e dizajnit të regjistruar dhe ndalimin e palëve të treta për ta përdorur dizajnin pa lejen e tij.
Andaj me 14 shkurt të 2019-ës, 45 vjeçari dorëzoi në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë aplikacionin me të gjitha dokumentet për të regjistruar dizajnin industrial për 6 lloje produktesh të këtij muri.
Pas aplikimit për këtë të drejtë, dizajni i regjistruar sipas nenit 44 do të publikohej në buletinin e Agjencisë për Pronësi Industriale. E kësisoj edhe prodhon efekte juridike ndaj palëve të treta.
Por, pas 1 viti e pak muaj, më 13 gusht të 2020-ës, Bekim Shehu mori 6 vendimet për 6 lloje produktesh, e lëshuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, për regjistrimin e dizajnit industrial.
Kur mori vendimet në duar, Bekim Shehu u njoftua nga Ministria që këto shkresa mund të ia dorëzoj doganës.
Ndërsa, pasi ia përcolli dokumentet doganës, Shehu thotë që pas disa javësh mori një telefonatë nga zyrtarët atje sepse disa persona po donin ta eksportonin murin vinkëll nga Kosova.
Kurse kur 45 vjeçari iu tha që për atë veprim nuk ishte në dijeni, dogana thuhet të ketë asgjësuar mallin.
Më pas filluan ankesat e disa kompanive tjera. Më 9 shtator të 2020, një nga kompanitë në vend, parashtroi kërkesë për shpalljen e pavlefshmërisë së dizajnit industrial për një produkt të murit vinkëll.
Dhe kësisoj Agjencia për Pronësi Industriale mori vendimin për shfuqizimin e vendimit vetëm për një lloj produkti.
Por për 5 produktet e tjera të regjistruara, kompania parashtroi ankesë tek pas një viti, më 17 dhjetor të 2021-ës. Ndonëse sipas ligjit, vendimet e API-së mund të ankimohen brenda 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit.
Më 4 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi masën e sigurisë kompanisë në fjalë, dhe kësisoj atyre iu ndalua prodhimi dhe shitja e murit vinkëll.
Për shqyrtimin e kërkesës për shpalljen e pavlefshmërisë së dizajnit industrial të Murit Vinkëll, më 7 dhjetor të 2021-ës, u formua një komision ad hoc nga zëvendës drejtori i Agjencisë për Pronësi Industriale, i cili njëherësh u bë edhe vet kryetar komisioni, Isa Dukaj.
Dhe ankesat e një kompanie, të datës 17 dhjetor 2021, më shumë se një vit pasi Muri Vinkëll e mori të drejtën e dizajnit industrial, u aprovuan dhe kësisoj u shpallën të pavlefshme edhe dizajnet industriale për 5 produktet e mbetura.
E pas krejt kësaj, Bekim Shehu si pronar i Murit Vinkëll, paditi Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Gjykatën Komerciale më 1 dhjetor të 2022-ës.
Ndërsa kallëzimin penal ndaj zëvendësdrejtorit Dukaj e inicioi më 21 dhjetor të 2022-ës.
Kallëzimin penal ndaj Dukajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë më 3 qershor të 2025-ës.
Por pas 10 ditëve, Bekim Shehu parashtroi ankesë ndaj këtij vendimi, në Prokurorinë e Apelit.
The post Lufta për muri: Kush e solli i pari në Kosovë “Murin Vinkëll”? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.