“Lufta nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me Evropën” – paralajmërimi i fortë nga liderët evropianë

news image

Në samitin evropian të mbajtur në Kopenhagen, udhëheqësit evropianë kërkuan masa më të ashpra kundër Rusisë, duke synuar veçanërisht sektorin e saj të energjisë.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Evropa duhet të ndjekë një qasje më agresive duke rrëzuar dronët që hyjnë në hapësirën ajrore evropiane dhe duke ndaluar anijet e flotës “në hije”, që transportojnë ilegalisht naftë për të privuar Moskën nga të ardhurat e luftës.

“Evropa duhet të ndjekë një qasje më agresive ndaj Rusisë duke rrëzuar dronët që hyjnë në hapësirën ajrore evropiane dhe duke hipur në anijet e flotës në hije që transportojnë ilegalisht naftë për të privuar Moskën nga të ardhurat e luftës”, tha Macron.

Ai theksoi se Ukraina është në vijën e parë të një lufte hibride që po zgjerohet kundër Evropës dhe u bëri thirrje më shumë se 40 udhëheqësve në samitin e Komunitetit Politik Evropian që të mbrojnë interesat e tyre pa i sinjalizuar qëllimet presidentit rus Vladimir Putin.

“Mendoj se përgjigjja kryesore duhet të jetë më shumë paparashikueshmëri dhe më shumë paqartësi strategjike”, tha Macron.

“Është shumë e rëndësishme të kemi një mesazh të qartë: dronët që do të shkelnin territoret tona po marrin një rrezik të madh. Ato mund të shkatërrohen, pikë. Ne nuk jemi këtu për të dhënë njoftim të plotë. Do të bëjmë atë që duhet të bëjmë.”

Macron përmendi edhe ndalimin e një anije cisternë nafte nga autoritetet franceze, e cila ishte në listën e sanksioneve të flotës në hije të Bashkimit Evropian, si dhe ndalimin e dy anëtarëve të ekuipazhit të saj, duke e cilësuar si një mënyrë efektive për të vepruar.

Ekspertë detarë dyshojnë se anija mund të jetë përdorur si platformë për nisjen e dronëve mbi instalimet ushtarake dhe aeroportet në Danimarkë. Macron tha se Rusia financon “30 deri në 40% të përpjekjeve të luftës” përmes kësaj flote në hije të cisternave të vjetra me pronësi të panjohur.

Sipas tij, sekuestrimi i këtyre anijeve për një ose dy javë “thyente plotësisht efikasitetin e organizatës”. “Pra, flota në hije është një objektiv shumë i mirë nëse doni të përmirësoni efikasitetin për të zvogëluar këto kapacitete,” shtoi Macron. Ai kujtoi se e njëjta anije ishte kontrolluar nga autoritetet estoneze në mars.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen, e cila priti samitin disa ditë pas një serie incidentesh me dronë në Danimarkë, paralajmëroi: “Tani duhet të jetë e qartë për të gjithë, Rusia nuk do të ndalet derisa të detyrohet ta bëjë këtë. Rusia është një kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne. Sot kemi një detyrë të madhe përpara nesh. Duhet ta bëjmë Evropën tonë të përbashkët aq të fortë sa lufta kundër nesh të bëhet e paimagjinueshme dhe duhet ta bëjmë tani”.

Ajo theksoi se Evropa “nuk mund të jetë më naive. Lufta nuk kishte të bënte kurrë vetëm me Ukrainën. Ka të bëjë me Evropën, me të gjitha kombet tona, qytetarët tanë, vlerat dhe lirinë tonë”.

Kancelari gjerman Friedrich Merz, pas takimit, deklaroi: “Putini nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë tonë. Ekziston vërtet një unitet shumë i fortë dhe një vendosmëri shumë e vendosur për t’u përballur së bashku me këtë agresion dhe për këtë jam jashtëzakonisht mirënjohës”.

Nga ana tjetër, kryeministri polak Donald Tusk i bëri thirrje udhëheqësve evropianë të braktisin çdo “iluzion” që mund të kenë lidhur me qëllimet e Rusisë, duke përmendur se Polonia ka qenë vazhdimisht viktimë e kërcënimeve ruse, përfshirë një ndërhyrje të madhe me dronë muajin e kaluar.

Ky inkursion çoi në aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s nga Varshava, duke lejuar konsultime me aleatët. Polonia më pas u zotua se do të rrëzojë dronët rusë që hyjnë në hapësirën e saj ajrore.

“Iluzioni i parë ishte dhe është se nuk ka luftë. Jo. Është luftë. Një lloj i ri lufte. Shumë komplekse, por është luftë”, tha Tusk.

Ai shtoi se një tjetër iluzion është “se është e pamundur për Ukrainën dhe për të gjithë ne ta fitojmë këtë luftë. Është absurde. I vetmi avantazh rus, i vetmi, është mentaliteti. Ne jemi shumë më të mëdhenj se ata për nga fuqia ekonomike dhe popullsia. Ne e dimë se nëse ata fitojnë kundër Ukrainës, kjo në të ardhmen do të jetë gjithashtu fundi i vendit tim dhe i Evropës. Nuk kam asnjë dyshim.”

Kryeministri britanik Keir Starmer po ashtu theksoi rëndësinë e presionit ekonomik ndaj Moskës.

“Presioni ekonomik po jep efekt dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë. Presion përmes sanksioneve të mëtejshme, që ndikojnë veçanërisht në energji dhe në flotën në hije”, tha ai përpara se të largohej herët nga samiti për t’u kthyer në Britani, pas një sulmi terrorist jashtë një sinagoge në Manchester që la dy të vdekur.

“Është gjithashtu jetike që Ukraina të vendoset në pozicionin më të fortë të mundshëm dhe kjo do të thotë më shumë mbrojtje ajrore, më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe aftësi anti-dronë”, shtoi Starmer.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/