Konflikti në mes të shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit është tema që u diskutua sonte në emisionin Rubikon të Klan Kosovës.
Sipas sociologut Avni Çakmaku, lufta ka nisur me kërkesat e vazhdueshme të Izraelit. Siç thotë ai, Benjamin Netanyahu, që nga ardhja e tij në pushtet i ka kërkuar ShBA-së nisjen e konfliktit por se presidentët tjerë kishin refuzuar.
“Problematika e konfliktit në lindje nuk është momentale, intenca për të ndodhur ky konflikt është katërdhjetë vjeçare. Fillimi i kërkesës më të theksume për konflikt ShBA-Iran është prej momentit kur Netanyahu ka marrë pozitën qeverisëse në Izrael, i kemi pa edhe deklarimet që ka pas kërkesa të tij edhe ndaj Barak Obamas që të hyjë në konflikt me Iranin, pastaj edhe të Bushi i ri edhe të Biden. Në fund erdhi Trump edhe ia realizoi pasi ia mbushi mendjen në njëfarë forme”.
Sipas Çakmakut, nuk ka pasur arsye valide për nisjen e këtij konflikti. Ai thotë se nëse nuk pajtohesh me regjimin e një vendi nuk mund ta sulmosh pasi do krijohej kaos ekstrem.
“E shohim edhe nga opinioni evropian edhe amerikan, dhe refuzimi i pjesëmarrjes së NATO-s dhe Evropës, ka qenë në këtë pikë pasi nuk e kanë pa që ka arsye valide e cila do të shtynte SHBA-në e NATO që të ndërhyjnë. Një regjim i dikujt mund edhe të mos pëlqej, por a është justifikim i mjaftueshëm që ti të ndërhysh ushtarakisht. Atëherë krijohet ai kaosi ekstrem”, tha Çakmaku. /Klankosova.tv.


