Partia opozitare maqedonase LSDM, në një kumtesë për media thotë se “rasti i fundit i vrasjes së grave në Veles ka treguar paaftësinë e plotë të qeverisë për të siguruar mbrojtjen e gjësë më të rëndësishme – jetës njerëzore”.
Nga LSDM thonë se Duhet të ketë përgjegjësi politike dhe penale për të gjitha dështimet e institucioneve.
“Ministri Pançe Toshkovski duhet të japë dorëheqjen menjëherë sepse ka dëshmuar se është i paaftë për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve. Në vend të një institucioni që duhet të mbrojë jetët njerëzore, Toshkovski e ka shndërruar Ministrinë e Brendshme në një shërbim partiak që mbron interesat e qeverisë dhe interesat e biznesit të OBRM-PDUKM-së”.
“Ndryshimet skandaloze në Ligjin për Policinë dhe Ligjin për Punët e Brendshme të bëra nga Toshkovski e kanë minuar Ministrinë e Brendshme, kanë nxjerrë jashtë profesionistët dhe e kanë shndërruar atë në një instrument partiak. Kjo i ka dhënë një goditje të drejtpërdrejtë funksionimit të pjesës më të rëndësishme të sistemit të sigurisë, dhe qytetarët i ndiejnë pasojat çdo ditë. Për sa kohë që Ministria e Brendshme drejtohet si selia e partisë së OBRM-PDUKM-së, qytetarët do të jetojnë me frikë”, thonë nga LSDM.