Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë muajit gusht ka zhvilluar një sërë kontrollesh të detajuara, me ç’rast janë ndaluar mijëra produkte të falsifikuara, kryesisht të importuara nga Kina, të cilat ishin destinuar për tregun kosovar. Mallrat e ndaluara do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit, raporton Gazeta Sinjali.
Produktet e kapura bartnin marka të njohura ndërkombëtare si Louis Vuitton, Gucci, Chanel e të tjera, dhe kishin për qëllim të shiteshin si origjinale në treg.
Në njoftimin e Doganës thuhet: “Areon – Gjatë kontrollit të detajuar u ndalua një sasi prej 9000 copë aromash për vetura të markës Areon, të importuara nga Kina dhe të dyshuara si kopje joautentike. Louis Vuitton, Gucci, Chanel”.
Po ashtu, bëhet e ditur se zyrtarët doganorë kanë zbuluar një ngarkesë me 944 copë bizhuteri të këtyre markave të luksit, të importuara nga Kina, të cilat ishin të falsifikuara dhe të paautorizuara për treg.
Ndërkohë, në dy raste të ndara, janë ndaluar gjithsej 623 copë farmerka të markës COS, të importuara nga Turqia, që pas verifikimit rezultuan të dyshuara si mallra pirate.
Dogana e Kosovës thekson se aksionet e tilla janë dëshmi e përkushtimit për të mbrojtur konsumatorët dhe tregun vendor nga produktet e falsifikuara.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!