Hulumtuesja në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Jeta Loshaj, e ka komentuar paradën ushtarake që u mbajt sot në rrugët e Beogradit.
Loshaj tha se parade ushtarake e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka implikime dhe synime të tjera, teksa shtoi se ai është në një gjendje paranoje për shkak të protestave që po mbahen tash e 10 muaj.
“Mendoj që së pari aleanca ushtarake Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë sigurisht që u konsiderua si provokim nga ana e Serbisë. Por, përtej kësaj, mendoj që parada ushtarake po e organizon Vuçiqi ka implikime dhe synime të tjera”.
“Mendoj që Vuçiqi është në një gjendje paranoje për shkak se protestat që kanë vazhduar tash e 10 muaj po tregojnë se po i vije fundi. E kanë demaskuar si një udhëheqës jo legjitim, jo demokratik dhe anti-perëndimor”, tha Loshaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ajo shtoi se parada nuk është përgjigje ndaj protestuesve por sipas saj, kjo paradë ushtarake është më tepër për konsum të brendshëm ndaj elektoratit.
“Duhet cekur që së shpejti do të jetë 1-vjetori i tragjedisë që ndodhi në Novi Sad dhe Vuciqi gjithmonë është munduar ta fajësojë BE-në dhe Perëndimin se po mundohen ta inskenojnë një revolucion të ngjyrave në Serbi, ashtu siç ka ndodhur në Gjeorgji dhe Ukrainë”.
“Një mobilizim i tillë nga ana e Vuçiqit dëshmon qartë që ai është në gjendje paranoje, e di ndoshta që po i vije fundi kështu që vetëm me një shfaqje të tillë teatrale mundohet të tregoj se akoma ka pushtet, por edhe me performancën që e pamë, e pamë edhe nivelin e të ftuarve që ishin prezentë dhe sa është me rëndësi një paradë të cilën tipike e organizojnë vetëm shtetet autokratike”, tha ajo.
The post Loshaj (QKSS): Parada ushtarake në Beograd tregon se Vuçiqi është në gjendje paranoje appeared first on Klan Kosova.