Lojtari serb: Futbollistët e Shqipërisë e kanë ditur se do të paraqitet flamuri me dron

news image

Ndeshja e së shtunës mes Serbisë dhe Shqipërisë ka rikthyer në kujtesë përballjen e kaluar mes dy përfaqësueseve, e zhvilluar në Beograd më 14 tetor të vitit 2014.

Ajo ndeshje u ndërpre pas skenave të dhunshme, kur huliganët serbë, lojtarët e Serbisë dhe pjesëtarë të sigurimit sulmuan futbollistët shqiptarë. Incidentit të rëndë i parapriu paraqitja me dron e flamurit “Autochthonous” mbi fushën e stadiumit në Beograd – flamur me motive shqiptare, që paraqiste një hartë të kuqe me shqiponjë të zezë dhe figurat e Ismail Qemalit e Isa Boletinit në anë.

Ky flamur u bë më pas simbol dhe u përhap gjerësisht në mesin e shqiptarëve.

Ideatori dhe autori i shfaqjes së flamurit mbi Beograd është Ismail Morina, i njohur si “Ballisti”.

Megjithatë, ish-futbollisti serb Nenad Tomoviq, i cili në atë ndeshje ishte në stol te Serbia, ka deklaruar se futbollistët shqiptarë e kanë ditur paraprakisht për dronin. Ai thekson se gjithçka ka qenë e planifikuar, ndonëse Ballist Morina ka pohuar vazhdimisht se veprimi ishte vetëm i tij, pa përfshirjen e askujt tjetër.

“Sinqerisht ishte një provokim i madh të shohim atë flamur duke fluturuar mbi kokat tona. Stefani, sipas mendimit tim, reagoi si duhet dhe e largoi atë menjëherë. Shihet, nga reagimi i tyre, nga mënyra se si kanë vrapuar dhe si janë nisur për ta mbrojtur atë flamur. Mendoj se çdo gjë ishte e planifikuar, e inskenuar. Më pas të gjithë kemi nisur të vrapojmë, kanë nisur incidentet. Por mendoj se çdo gjë është dashur të jetë në terren dhe jo të përfundojë në atë mënyrë. Qartë se ai ishte synimi i tyre. Atë që kishin planifikuar në fund, edhe e realizuan”, ka thënë Tomoviq për “informer.rs”.

Pas një procesi të gjatë, UEFA regjistroi ndeshjen me rezultatin 3:0 në favor të Shqipërisë, ndonëse fillimisht ia kishte dhënë fitoren Serbisë në tavolinë. Falë asaj fitoreje, Shqipëria u kualifikua në “Euro 2016”.

Megjithatë, njollë e atij kualifikimi mbeti humbja 2:0 ndaj Serbisë në Elbasan, më 8 tetor 2015. Edhe pse stadiumi ishte plot, atmosfera ishte e zbehtë dhe e qetë, për shkak të masave të marra nga FSHF-ja për ndarjen e biletave.

Tomoviq luajti 90 minuta në atë ndeshje dhe ka thënë se skuadra serbe ishte shumë e motivuar për ta fituar.

“Jo vetëm që unë kam luajtur mirë, por si ekip kemi luajtur shkëlqyeshëm në aspektin taktik. Të gjithë ishim shumë të motivuar, sikur nuk kemi guxuar ta humbim atë ndeshje. Para së gjithash për atë që kishte ndodhur te ne më parë. Kështu që kemi dashur të hakmerremi dhe t’u tregojmë atyre që tri pikë fitohen në terren e jo pas skandalit”, ka theksuar ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/