Lojtari më i paguar i Chelseat është larguar nga skuadra, stërvitet veçmas në një atmosferë të ftohtë dhe të vetmuar

Lojtari më i paguar i Chelseat është larguar nga skuadra, stërvitet veçmas në një atmosferë të ftohtë dhe të vetmuar

Futbollisti më i paguar i Chelseat, Raheem Sterling, u ka ofruar tifozëve një pamje të realitetit të zymtë të jetës në periferi të ekipit londinez me një postim që dëshmon për izolimin e tij aktual nga ekipi i parë.

Trajneri i “Bluve”, Enzo Maresca, ka një politikë të qartë ndaj lojtarëve që nuk i mbështet, midis të cilëve është një ish-anëtar i kombëtares angleze, dhe atyre u ndalohet të stërviten me ekipin e parë.


Në vend që të rikthehen në rotacionin garues, Sterling, Veiga, Fofana dhe Disasi tani stërviten veçmas në qendrën stërvitore në Cobham, larg syve kureshtarë të trajnerëve dhe pjesës tjetër të skuadrës.

Të hënën në mbrëmje, Sterling postoi një foto të një fushe stërvitore të zbrazët në Instagram në orën 8:21 të mbrëmjes, me mbishkrimin e shkurtër “stërvitje” dhe ‘emoji’ që linte të kuptohej një atmosferë e ftohtë dhe e vetmuar. Fotografia e fanellës së trajnerit të tij dhe këpucëve të futbollit New Balance a e përforcoi më tej mesazhin, është e qartë se ai ndihet i harruar.

Pavarësisht numrit në rritje të lojtarëve të lënduar te Chelsea, Maresca nuk tregon gatishmëri për t’u dhënë një shans të dytë Sterlingut, Axel Disasit, David Datro Fofanës dhe të tjerëve që janë “larguar” nga planet e tij.

“Që nga fillimi i sezonit, nuk kam parë asnjërin prej tyre në ekip. Nuk e kam parë Renaton (Veigan), nuk e kam parë Axelin (Disasin), nuk e kam parë Raheemin (Sterlingun) sepse ata stërviten në një kohë tjetër në një fushë tjetër. Nuk i kam parë që kur filluam sezonin”, ka thënë Maresca pa hezitim.

Kur u pyet drejtpërdrejt nëse kishte ndonjë shans për një rikthim në ekipin e parë, përgjigjja e tij ishte e shkurtër dhe e qartë: “Me ne? Jo”.

Edhe pse Sterling ishte subjekt i interesit nga klubet e mëdha evropiane, përfshirë Bayern Munich dhe Napoli, transferimi nuk u realizua. Sipas informacioneve nga Telegraph Sport, Bayern dërgoi një kërkesë për Sterlingun në orët e fundit të afatit kalimtar, por nuk u arrit asnjë marrëveshje.

Besohet se paga javore e lojtarit prej 380,000 eurosh në javë përbënte një pengesë kryesore për blerësit potencialë. Me këtë pagë, ai është aktualisht lojtari më i paguar i “Bluve”.

Sterling thuhet se nuk dëshiron të largohet nga Anglia dhe është edhe më pak i interesuar të shkojë në Arabinë Saudite, megjithëse afati kalimtar atje është ende i hapur deri më 23 shtator. Sipas Daily Mail Sport, ai ka refuzuar disa oferta nga Kampionati Saudit. /Telegrafi/