Llapi blindon me kontrata të reja dy talentët më të mëdhenj të ekipit

Llapi blindon me kontrata të reja dy talentët më të mëdhenj të ekipit

Llapi ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratave edhe për dy vite me dy nga talentët më të mëdhenj në futbollin kosovar, Arianit Hasani dhe Elvir Gashijani.

Klubi llapjan ka vazhduar politikën e tyre për besimin e lojtarëve të rinj dhe sot gjatë ditës e kanë konfirmuar edhe më shumë.


Përveç minutave dhe promovimit në fushë, Llapi ka vendosur t’ia rinovojë kontratat dy lojtarëve të rinjë të cilët janë edhe reprezentues të Kosovës.

Bëhet fjalë për mesfushorin Arianit Hasani dhe sulmuesin anësor, Elvir Gashijani, të cilët mbeten të Llapit deri në verën e vitit 2027.

“Klubi Futbollistik Llapi me kënaqësi njofton vazhdimin e kontratave me dy prej lojtarëve më të çmuar të klubit, Arianit Hasani dhe Elvir Gashijani, të cilët do të jenë bardhekaltër deri në vitin 2027”, thuhet fillimisht në njoftimin e Llapit.

“Dyshja Hasani – Gashijani kanë treguar besimin e tyre në projektin afatgjatë të klubit, duke zgjedhur të vazhdojnë rrugëtimin me Llapin dhe të kontribuojnë drejt sukseseve të përbashkëta”.

“Klubi ynë ndihet krenar që në gjirin e tij ka futbollistë të tillë, të cilët tashmë janë cilësuar si “diamantët e Llapit”, me pritshmëri që shumë shpejt të shndërrohen në emra të mëdhenj edhe në futbollin evropian”.

“Një rol vendimtar në rritjen dhe zhvillimin e tyre ka pasur edhe trajneri Tahir Batatina, i cili u ka besuar jashtëzakonisht shumë dhe vazhdon të besojë se, me punën dhe përkushtimin e tyre, do të transferohen së shpejti në klube evropiane”.

“Prania e tyre në skuadër është garanci për cilësi, spektakël dhe gola të jashtëzakonshëm në fushë”, mbyll njoftimin klubi llapjan. /Telegrafi/