Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se do të garojë për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e ardhshme lokale me subjektin e ri politik që quhet “PËR DRENASIN KAMPION ME RAMIZ LLADROVCIN – PDKRLL”.
Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Lladrovci njoftoi se ky vendim vjen duke marrë shkas zhvillimet e fundit në Kryesinë e PDK-së, ku u mor vendim që Lladrovci të mos jetë më kandidat për këtë komunë.
Ai nënvizoi se këtë subjekt të ri politik e formojnë, jo për t’u larguar nga PDK, por, siç thotë, për ta mbrojtur Komunën e Drenasit dhe interesin qytetar.
Kreu aktual i Drenasit shtoi se deklaratën e dha pas mijëra kërkesave, konsultimeve me qytetarë, simpatizantë dhe anëtarë të PDK-së, të Kryesisë së Degës së PDK-së në Drenas.
“Vendimi për zëvendësimin e Kryetarit më të suksesshëm në historinë e garës për performancë komunale në Republikën e Kosovës, përmes një procedure dhe votimi të paparë deri më tani, nga Kryesia e emëruar me vendim nga vet udhëheqësi aktual i PDK-së, të zgjedhur pa iu nënshtruar zgjedhjeve të brendshme, Tejkalon dhe shkel vlerat me të cilat identifikohet PDK-ja: Puna, përkushtimi për qeverisje të mirë, transparente e llogaridhënëse të qeverisjes lokale aktuale”.
“Subjekti ri do të garojë vetëm në zgjedhjet komunale për asamble dhe kryetar, me besimin se qytetarët e Drenasit do të vazhdojnë ta duan qeverisjen e mirë, pa korrupsion, bashkë më qytetarët e Drenasit e për Drenasin, jo përmes bedelëve dhe pushtetit të ndërmjetëm. Subjekti i ri quhet: PËR DRENASIN KAMPION ME RAMIZ LLADROVCIN PDKRLl Bashkë, vazhdojmë, +4. PDKRLl!”, shkroi Lladrovci.
The post Lladrovci s’tërhiqet nga gara për Drenasin, formon subjektin e tij – PDKRLL appeared first on Klan Kosova.