Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti. Veprimet e ekzekutivit kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, tha sot ambasada amerikane në Prishtinë, transmeton Klankosova.tv
Dialogu ishte planifikuar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por si pasojë e Albin Kurtit, këto janë parë si sfida për përparim.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo.
Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”.
Amerika i tha sot “stop” Kosovës, por çka është dialogu strategjik i pezulluar?
Pezullimi i dialogut nga Amerika, “zbutet” qeveria: I pranojmë kritikat
Lidhur me këtë vendim ka reaguar këshilltari i kryeministrit në detyrë Albin Kurti, Përparim Kryeziu.
Në një postim në facebook, ai tregon për veprimet e “mira” që qeveria në detyrë ka bërë gjatë mandatit të saj, ani pse Ambasada në njoftimin e saj tha se pezullimi i dialogut vjen për shkak të këtyre veprimeve të qeverisë Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, duket se janë zbutur pak, duke thënë se i mirëpresin kritikat.
Bajrami: Kurti dhe VV po zbatojnë agjendën e Serbisë dhe Rusisë për shkëputje të raporteve me ShBA-në
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Ajo e quajti këtë zhvillim ndër lajmet më të këqija për Kosovën në vitet e fundit dhe akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Vetëvendosjen për dëmtim të raporteve me aleatin kryesor të vendit, raporton Klankosova.tv.
“Dëmi që ia ka shkaktuar dhe po ia shkakton Albin Kurti dhe VV Kosovës është i pariparueshëm.
Ndërprerja e dialogut strategjik të Kosovës me SHBA është ndër lajmet më të këqija për Kosovën në vitet e fundit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin, janë dhe do të jenë aleati i pazëvendësueshëm për Kosovën.
Albin Kurti dhe Vetëvendosje po zbatojnë në përpikëri agjendën e Serbisë dhe Rusisë që Kosova të shkëputë raportet e partneritetit dhe bashëkpunimit strategjik të Kosovës me SHBA-në.
Secili prej nesh duhet të punojë për thellimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kush punon kundër është kundër Kosovës dhe është me Serbinë dhe Rusinë.
Rrugë të mesme nuk ka!”, shkroi Bajrami në Facebook.
“Është e qartë: problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër – Albin Kurti”
Edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas vendimit të ShBA-së për pezullimin pa afat të dialogut strategjik për Kosovën.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër, e që sipas tij ai është Albin Kurti, transmeton Klankosova.tv.
“Deri sot, veprimi që e ka goditur më së shumti Republikën e Kosovës kanë qenë sanksionet e BE-së, të cilat na kanë pamundësuar shfrytëzimin e 600 milionë eurove. Por vendimi i Qeverisë Amerikane për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën e tejkalon përmasën e atij dëmi. Sot, Albin Kurti i shkaktoi Kosovës plagën më të madhe që dikush ka mundur ta paramendojë”.
“Është e qartë: problemi i Kosovës ka emër dhe mbiemër – Albin Kurti. Si PDK, e kemi të qartë përgjegjësinë tonë. Do të angazhohemi që vendit t’i japim një qeveri që do ta nxjerrë nga kjo krizë”, ka shkruar deputeti.
‘VV, shkatërruese e shtetit’, Abdixhiku: Suspendimi nga ShBA, pika më e ulët e raporteve me aleatin ekzistencial
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas suspendimit të dialogut strategjik për Kosovën nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku thotë se ky vendim paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin strategjik dhe ekzistencial, si shtet i pavarur e sovran, transmeton Klankosova.tv.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës.
Populli i Kosovës nuk është si ta. Populli i Kosovës nuk do të jetë si ta.
Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë.
LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.”
Musliu e ashpër: Sa herë vendi ka nevojë për aleancë, Albin Kurti zgjedh konfliktin
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pas goditjes së madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë Kosovës, me pezullimin e dialogut strategjik.
Musliu ka shkruar në Facebook se misioni i Albin Kurtit, siç thotë ajo është sabotimi dhe izolimi i Kosovës.
Ajo tha se “sa herë që vendi ka nevojë për stabilitet e aleancë me partnerët, Albin Kurti zgjedh konfliktin.”, transmeton Klankosova.tv
“Çka tjetër duhet të bëjë ky njeri për të na bindur se misioni i tij i vetëm është sabotimi dhe izolimi i Kosovës?.
Muharremi: Dita më e zezë në histori për Kurtin dhe LVV-në
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas vendimit të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Përmes një postimi në Facebook, ai e quajti si ditë të zezë në histori për kryeministrin në detyrë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“SHBA sot ka pezullu pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën. Kjo vjen pas masave të BE-së të cilat, përveq projekteve, kanë stopuar edhe avancimin e Kosovës në BE me vite.
Në deklaratën e ShBA-së si arsye kryesore për pezullim të dialogut strategjik përmendet Kryeministri kujdestar Kurti.
Deklarata është e drejtëpërdrejtë dhe tregon që veprimet dhe deklaratat e KM Kurti kanë rritë tensionin dhe paqëndrueshmërinë, duke e pamundësu bashkëpunimin e frytshëm mes SHBA dhe Kosovës.”
Ai theksoi po ashtu se e vetmja gjë e mirë nga deklarata është fakti se përkrahja për popullin e vendit mbetet e fortë, transmeton Klankosova.tv.
“E vetmja gjë e mirë në deklaratë është fakti që përkrahja për popullin e Kosovës mbetet e fortë dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë me një qeveri tjetër. SHBA e sheh qeverinë kujdestare si pengesë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Ky është mesazhi më i fortë diplomatik që SHBA i ka dërgu ndonjë qeverie në Kosovë deri më sot. Fatkeqësisht, tepër negativ. Mirë që nuk është kundër Kosovës, as kundër popullit, është kundër qeverisë kujdestare dhe mënyrës si po e drejton Kosovën.
Kjo na sjell te një realitet i thjeshtë. Pyetja thelbësore është “a e kemi ne luksin me e rreziku aleancën më të rëndësishme që kemi?” Mos të harrojmë që Kosova është ndërtu mbi partneritetin me SHBA, pa të cilin vështirë se ka paqe, e stabilitet.. po as ekonomi të qëndrueshme pa dy të parat nuk ka.
Shumë njerëz do të thonë “po demokracia, ku mbeti”? Sepse Kurti është personi më i votuar. Përgjigja është e thjeshtë. Demokracia nuk ti ruan kufijtë, KFOR, NATO e SHBA po.
Ky është një moment i rëndësishëm reflektimi”, shkroi Muharremi.
Goditja e ShBA-së, Deliu-Kodra: Dështimi më i madh i Qeverisë Kurti
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar pas vendimit të ambasadës amerikane në Kosovë për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik për Kosovën.
Përmes një postimi në facebook, Deliu-Kodra tha se sot Kosova humbi jo vetëm një proces strategjik me ShBA-në, por edhe besimin e aleatit më të madh, transmeton Klankosova.tv.
Sipas saj, këto janë pasojat e një pushteti të ndërtuar mbi populizëm, që lë qytetarët të paguajnë çmimin e gabimeve të politikës.
“Sot Kosova humbi jo vetëm një proces strategjik me SHBA-të, por edhe besimin e aleatit tonë më të madh. BE-ja na mbylli dyert me sanksione, e tash edhe Amerika po na kthen shpinën. Këto janë pasojat e një pushteti të ndërtuar mbi populizëm, që lë qytetarët të paguajnë çmimin e gabimeve të politikës. Për qytetarët që shpresonin në mbështetjen e partnerëve tanë, kjo është zhgënjyese. Dështimi më i madh i qeverisë Kurti. Pa fjalë!”, ka shkruar deputetja.
Pezullimi i dialogut strategjik nga Amerika, Hoti: Kosova nuk e meriton këtë lidership
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas vendimit të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë për pezullimin pa afat të Dialogut Strategjik mes dy vendeve.
Ai përmes një postimi në Facebook, theksoi se Kosova nuk e meriton një lidership të tillë, raporton Klankosova.tv.
“Shumë keq. Para pesë vitesh ishim në Shtëpinë e Bardhë. Sot suspendohet dialogu edhe për partneritet strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së. Kosova nuk e meriton këtë lidership”, tha Hoti.
“Shumë keq.
Para pesë vitesh ishim në Shtëpinë e Bardhë.
Sot suspendohet dialogu edhe për partneritet strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.
Kosova nuk e meriton këtë lidership. Krerët e Kosovës të zënë me debate e fyerje ndaj gazetarëve, bizneseve e partive politike që nuk po i ndjekin në theqafjen e shtetit”, shkroi Hoti.
The post LIVE: Pezullimi i dialogut strategjik, shuplaka më e madhe amerikane për Kosovën e Albin Kurtit appeared first on Klan Kosova.