Lista Serbe nis fushatën me himn të Serbisë

Lista Serbe nis fushatën me himn të Serbisë

Lista Serbe, ka nisur fushatën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor në Mitrovicë të Veriut dhe në tri komunat e tjera veriore.

Tubimi hapës u zhvillua në Mitrovicë të Veriut dhe filloi me intonimin e himnit të Serbisë. Fjalimet e mbajtura nuk përfshinë premtime për projekte lokale, por u fokusuan kryesisht në kritika ndaj Qeverisë në detyrë.


Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, deklaroi se qytetarët do të “çlirohen nga kryetarët jolegalë dhe jolegjitim” më 12 tetor.
“Ka ardhur dita që kryetarin e paligjshëm ta zëvendësojmë me stilolaps. Mitrovica e Veriut është bastioni i mbijetesës së serbëve në Kosovë, ku kemi mbrojtur identitetin tonë për shekuj. Është koha për ndryshim”, tha Elek.

Ndërkohë, kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Lista Serbe, Milan Radojeviq, gjatë fjalimit të tij iu drejtua qytetarëve me pyetjen: “A e doni lirinë?”, që u prit me duartrokitje dhe thirrje në kor “Atiq, largohu”, duke aluduar ndaj kryetarit aktual të komunës.

Radojeviq tha se qytetarët serbë në veri kanë vuajtur padrejtësi dhe kufizime gjatë tre viteve të fundit, duke përmendur arrestimet, dëbimet dhe vështirësitë për të rinjtë në jetën e përditshme.

Edhe kandidatët tjerë për asamblistë nga Lista Serbe e përqendruan fushatën në mesazhe politike, duke lënë anash temat lokale të zakonshme të zgjedhjeve komunale.