Lista Serbe e hap fushatën me himn të Serbisë dhe premtimin për “çlirim nga Kurti”

news image

Nën himnin serb, Lista Serbe ka hapur sot fushatën zgjedhore në Mitrovicë të Veriut.

Kryetari i partisë, Zlatan Elek, tha se më 12 tetor qytetarët, sipas tij, do të çlirohen nga kryetarët “jolegjitimë të Kurtit” në komunat në veri.

“Vetëm të bashkuar dhe të bashkuar mund ta çlirojmë qytetin tonë nga kryetarët e rremë, të paligjshëm dhe jolegjitimë të Kurtit dhe për këtë arsye ju kërkoj të telefononi të gjithë fqinjët, miqtë, kumbarët, të afërmit tuaj më 12 tetor për të thënë se numërimi mbrapsht ka filluar dhe se po shkojmë drejt çlirimit të qytetit tonë. Të bashkuar mund të fitojmë dhe ta shpëtojmë qytetin tonë dhe në fund dua t’ju them – Rroftë Lista Serbe, rroftë populli ynë dhe mbi të gjitha rroftë Serbia”, tha Elek.

Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Mitrovicës së Veriut është Milan Radojeviq.

Ndërkaq, Ivan Zaporozhac, anëtar i Listës Serbe dhe udhëheqës i listës së këshilltarëve në Mitrovicë të Veriut, tha se kanë përmbushur një premtim duke mos lejuar formimin e qeverisë nga Prishtina.

“Ne e kemi përmbushur premtimin tonë. Ne nuk lejuam të formohet një qeveri në Prishtinë dhe deputetët tanë po qëndrojnë atje me dinjitet dhe mbështesin vullnetin e këtij populli që Kurti nuk mund të sundojë mbi ne”, ka thënë ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/