Gjykata Themelore në Prizren ka liruar nga aktakuza Bajram Rexhaj, oficer i Shërbimit Korrektues të Kosovës, i akuzuar për marrje ryshfeti.
Kështu ka bërë të ditur avokati i tij, Besnik Berisha, që sipas tij, “ky proces penal, që nga faza e hetimit, ishte ngritur pa asnjë ankese qytetari apo zyrtari, pa kallëzim penal dhe pa indicie reale që do të justifikonin ndërhyrjen e organeve të ndjekjes.”
“Përkundër kësaj, janë autorizuar masa të rënda hetimore, të cilat gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultuan jo vetëm të pabazuara, por edhe të zbatuara në mënyrë që tejkalonte kufijtë e lejuar ligjorë,” ka shkruar Berisha.
Ai shton se gjatë gjykimit u vërtetua se përgjimet nuk kishin prodhuar asnjë provë që do të implikonte Rexhaj në kryerjen e ndonjë vepre penale, ndërsa mungesa e audio-incizimeve dhe mbështetja në transkripte të hartuara nga hetuesi ngritën dyshime serioze mbi integritetin e procesit.
“Për më tepër, ekspertiza e realizuar mbi materialet video konstatoi ndërhyrje në to, duke konfirmuar se provat kryesore ishin të komprometuara,” ka shtuar avokati.
Berisha thekson se vendimi lirues është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm për respektimin e standardeve në proceset penale:
“Jam i lumtur që bashkë me kolegen Dafina Osmani, si mbrojtës të z. Bajram Rexhaj, e ndihmuam gjykatën për të ardhur tek një vendim i drejtë, i ligjshëm dhe tek një standard që kontribuon në mbrojtjen e sigurisë juridike në vendin tonë,” ka përfunduar avokati.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


