Pasaportën e mbajti vetëm deri sa u legjitimua në Kosovë.
Zyrtarët e Regjistrit që e kanë shoqëruar Isni Kilajn pas lirimit, do të kthehen në Gjykatën Speciale me të gjitha dokumentet që mund të përdoren për udhëtim, përfshirë letërnjoftimin e tij.
Ky është njëri nga 14 kushtet nën të cilat iu mundësua për herë të dytë lirimi me kusht.
Kilaj, lajmin qe i detyruar ta mbante të fshehtë deri dje edhe nga familjarët dhe të bashkakuzuarit për tentim-pengimi të drejtësisë, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.
Pas lirimit, djali i tij e publikoi një fotografi me babain, me një mbishkrim të shkurtër: “Zemra Mal”
Ndryshe, për shkak të kësaj aktakuze, Kilaj ka mbajtur 18 muaj e 10 ditë burg, më shumë se 1 vit nga sa është minimumi i dënimit për veprat që e ngarkojnë – ndërsa maksimumi është 5 vjet burgim.
Christopher Gosnell, gjyqtar i vetëm në këtë çështje penale ka vlerësuar se rrethanat kanë ndryshuar që nga vendimi i fundit për paraburgimin në së paku dy pika.
“(1) kohëzgjatja potenciale e çfarëdo vendimi për burgim, si rezultat i ndonjë dënimi që mund t’i shqiptohet Z. Kilajt (kështu edhe qëllimi për t’u arratisur) është reduktuar për dy muaj tjerë të mbajtjes para gjykimit dhe (2) Mbrojtja e Kilajt ka ofruar detaje tjera që kanë të bëjnë me burimin e sigurisë që do të ofrohet e që del të letë [E REDAKTUAR].”
Kilaj ka ofruar dorëzani 40 mijë euro, 10 mijë më shumë se sa i janë pranuar për lirimin e parë me kusht nga maji deri në dhjetor të 2024.
Kjo shumë i kthehet në llogarinë bankare nëse ri-arrestohet apo lirohet por edhe mund t’i konfiskohet nëse thyen ndonjë rregull.
Gjatë kësaj kohe ai ka të ndaluar kontaktin me të bashkakuzuarit dhe ata që përmenden si palë ndihmëse në aktakuzë si dhe çdo deklarim a paraqitje në medie.
Kronikën e përgatitur nga gazetarja Rina Mujku, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.


