Liridonë Muharremi, kandidate për Asamblenë Komunale në Mitrovicë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka shpalosur piketat kryesore të angazhimit të saj në fushën e rinisë, arsimit dhe zhvillimit lokal.
Në një postim të publikuar së fundmi, Muharremi theksoi nevojën për të fuqizuar të rinjtë dhe për t’u ofruar atyre mbështetje reale për të qenë pjesë aktive e zhvillimit të komunës.
“Sfidat më të mëdha për të rinjtë mbeten në tre dimensione kryesore: përkrahja, promovimi dhe punësimi”, tha ajo.
Ajo u zotua për ndërtimin e platformave konkrete të përkrahjes rinore, përtej bursave tradicionale.
“Do të angazhohem që Komuna të ndërtojë dhe të fuqizojë platformat e përkrahjes, të cilat, përveç bursave, do të financojnë edhe trajnime dhe zanate”, theksoi ajo, duke propozuar edhe krijimin e një fondi të veçantë për të rinjtë dhe ndërtimin e një inkubatori të bizneseve.
Ndër prioritetet e saj, Muharremi përmendi edhe transformimin e shkollave në hapësira multifunksionale.
“Të rikthejmë shkollat si hapësira jo vetëm të edukimit, por edhe të inovacionit”, u shpreh ajo.
Ajo po ashtu bëri thirrje për masovizimin e sportit, artit dhe kulturës, si dhe për krijimin e lidhjeve të drejtpërdrejta mes të rinjve dhe tregut të punës.
“Me votën tuaj, ju lidhni një kontratë me një përfaqësues që ka pika të qarta për të cilat angazhohet: më shumë përkrahje, më shumë mundësi, më shumë hapësira për zhvillim dhe punësim”, përfundoi Muharremi. /Telegrafi/