Njohësi i emergjencave, Lorik Lipoveci ka deklaruar se shoqëria kosovare nuk është aspak e përgatitur për ndonjë gjendje të jashtëzakonshme që do mundte ta kaplonte Kosovën.
Në emisionin “Ora Shtatë”, Lipovica tha se çdo shtëpi duhet së paku të ketë një kuti emergjente të ndihmës së parë, tri litra ujë të rezervuar, bateri e një radio, transmeton Klankosova.tv.
“Jemi shtet i ri, dhe në aspektin e mbrojtjes civile, e cila ngërthen këtë parapërgatitje dhe këto masa, është jo i mirë, jo i duhur, sepse çalon në disa pjesë. Megjithatë, ne si shoqëri duhet të jemi më të përgatitur, do të thotë që Republika e Kosovës duhet të mendojë për mbrojtjen civile dhe emergjencat civile, sepse nëse nuk jemi të përgatitur shtohen rreziqet dhe shoqëria përballet para një problemi ekzistencial”, tha ai në Klan Kosova.
“Ne nuk i kemi te funksionalizuara alarmet publike, që është ABC-ja e mbrojtjes civile. Vetëm Prishtina e ka, ndërsa qytetet e tjera nuk e kanë funksional. Po ashtu duhet të ekzistojnë ushtrimet me ekipe të veçanta se si të sillemi, qytetarët duhet të njoftohen me fletëpalosje, çdo shtëpi duhet ta ketë fletëpalosjen se si duhet vepruar në raste të emergjencave, sepse emergjencat nuk janë vetëm për zjarre apo vërshime apo situata të fatkeqësive natyrore, por janë edhe situata të fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu, si lufta. Ne jemi fare të papërgatitur si shoqëri. Kompetente për këtë është Ministria e Punëve të Brendshme, konkretisht Agjencia për Menaxhim Emergjent”, u shpreh Lipovica.


