Lindon Emërllahu ishte protagonist i ndeshjes së së dielës, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij CFR Cluj në kampionatin rumun.
Me golin vendimtar të shënuar nga mesfushori kosovar, Cluji mori tri pikë të vlefshme në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 12-të të elitës së futbollit rumun, duke triumfuar 2-1 ndaj Hermannstadtit në shtëpi.
Pavarësisht se mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të me golin e Dragos Albu, Cluji reagoi shpejt.
Louis Munteanu barazoi rezultatin në minutën e 24-të për 1-1, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë.
Në fillimin e pjesës së dytë, Lindon Emërllahu vulosi përmbysjen në minutën e 55-të me një goditje të saktë që i dha fitoren ekipit të tij.
Reprezentuesi i Kosovës u zëvendësua në minutën e 85-të pas një paraqitjeje shumë të mirë, ndërsa Meriton Korenica, u inkuadrua në lojë në minutën e 61-të.
Emërlahu u shpall lojtar i ndeshjes nga SofaScore, me notën 8.2, pasi përveç golit kishte dhe 75 përqind të pasimeve të sakta, 3 topa të gjatë të saktë dhe 3 duele të fituara.
Ky ishte goli i tretë sezonal për 22-vjeçarin Emërllahu, i cili në këtë edicion ka regjistruar edhe një asistim, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të rëndësishëm të Clujit në mesin e fushës. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com