Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të kuvendit, për të cilin tha se nuk e njeh si kryetar dhe nuk e përfaqëson vizionin e tij.
Limaj tha se mos-njohja e Bashës si kryetar kuvendi lidhet me qëndrimet e këtij të fundit në raport me historinë dhe qëndrimin e tij me shtetin e Kosovës, teksa shtoi se si i tillë, Basha nuk duhet të jetë kryetar kuvendi.
“Shpresoj që ky mund të jetë një aksident dhe mendoj se duhet të eliminohet ky aksident. Besoj që gjëja më e pakt që duhet të bëjë është të japë dorëheqje. E ka fyer dhe e ka ofenduar shtetin, kombin e vet, krejt diasporën e popullit të vet, popullin e vet e bën kartele të drogës”.
“Këtu, njerëzit i bën banditë që kanë luftuar për liri dhe sot ai është kryetar i kuvendit dhe e bën gjoja në një hulumtim shkencor me një grua e cila që nga fillimi i jetës së saj profesionale është anti-shqiptare dhe ai lloj shkrimi kthehet dhe bëhet në një lloj shkrimi ndërkombëtar si bashkautor”.
“Ky njeri nuk është i denjë jo për ta drejtuar kuvendin, por as të ketë asnjë post publik për sjelljen që e ka pasur ndaj lirisë dhe shtetit të Kosovës”, tha Limaj në një intervistë për gazetaren Qëndresa Tërshani e transmetuar në “Jehona politike” në Klan Kosova.
Tutje, Limaj u shpreh se qëndrimet dhe deklarime e Bashës janë të barabarta me Dick Martyn dhe me “Librin e Bardhë” të Serbisë.
“Nuk ka ofendim më të madh për Kosovën sesa ai të flet në emër të Kosovës apo të ulet atje dhe ta drejtojë Kuvendin e Kosovës, një njeri i cili deklarimet dhe qëndrimet e tij janë të barabarta me Dick Martyn, ‘Librin e Bardhë’ të Serbisë, me gjithë ata që betejën e kanë kundër shtetit të Kosovës dhe punojnë për shkatërrimin e këtij shteti”.
“Gjuha e tij në atë punim shkencor është e njëjtë me të gjithë ata që punojnë për të mohuar lirinë dhe shtetin e Kosovës”, tha Limaj, njofton Klankosova.tv.
Për sa i përket tërheqjes që Basha e ka bërë nga bashkautorësia e punimit shkencor ku fyhej UÇK-ja, Limaj tha se kreu i kuvendit duhet jetuar me pasoja dhe sipas tij, pasoja është veç dorëheqja.
“Demek, mund të bësh çkado për vendin, të kërkosh falje, të shkosh të bësh një nderim tek përmendorja e Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit dhe u krye puna, lahesh. Do të jetoni me pasoja dhe pasoja është veç dorëheqja”, tha ai.
The post Limaj: Bashas të jep dorëheqje – është i barabartë me Dick Martyn e “Librin e Bardhë” të Serbisë appeared first on Klan Kosova.