Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot ka mirëpritur zhvillimet që erdhën mëngjesin e sotëm rreth Ligjit për të Huajt i cili hyn në fuqi nga nesër.
Për të njëjtin ligj dhe atë për Automjete, folën në një konferencë për media, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ambasadori i Bashkimi Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe kryeministri Albin Kurti.
“E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Sorensen, Orav dhe kryeministri Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete.Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Guerot në një postim në X, transmeton Klankosova.tv.
Ligji për të Huajt në Kosovë që hyn në fuqi nga dita e diel, (15 mars), do të jetë i shoqëruar me disa masa shtesë që lidhen kryesisht me regjistrimin e banorëve serbë dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme.


