Konsultimi publik për projektligjin e barazisë gjinore ka sjell ndryshime në nene të caktuara, mes të cilave edhe përkufizimin e gjinisë.
Kërkesa e Aleanca LGBTI për gjithëpërfshirjen është pranuar edhe reflektuar në draft, duke shkuar përtej konceptit binar burrë-grua.
Xheni Karaj nga aleanca LGBT thotë: “Ky projektligj nuk ka si të ndryshojë biologjinë. Gjinia si një kategori sociale dhe juridike nuk ka të bëjë me këtë realitet, lidhet me mënyrën si individët e jetojnë dhe shprehin veten e tyre në shoqëri”.
Ky koncept i ri ka shkaktuar debat të gjerë publik, ku ankesat janë të shumta se ka munguar konsultimi me të gjithë grupet e interesit.
Kaon Serjani, drejtues i Institutit për Besim dhe Angazhim Kulturor shprehet: “Literalisht të nxjerr nga binari se del nga kuptimi binar, bipolar burrë-grua, por njëkohësisht figurativ, ai na shkallon. Kjo është diçka radikale që do hap rrugën për identitete gjinore që mund të shkojnë 66, 72 apo disa thonë që nuk ka kufi… është konsultuar me grupe interesi të njëanshme dhe është injoruar shumica”.
Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë si propozuese e ligjit, shpjegohet se hartimi i këtij akti lidhet me përparimin e procesit te integrimit europian te vendit, por ka kundërshtime që mohojnë standardin unik të identitetit gjinor të BE-së.
“Shumica e vendeve të Bashkimit Europian në ligjet e tyre për gjininë pranojnë gjininë binare mashkull-femër. Mund të kenë disa vende lehtësira ligjore për të ndërruar gjini, por duhet të mbeten kornizës ose mashkull ose femër. Thirrja ime është që nëse ligji po shkon në parlament, të ngrihen burra gra, të majtë e të djathtë, ta kuptojnë se ky ligj po shkatërron familjen, identitetin gjinor. Dhe nëse kjo shitet si një arsye për të pasur integrim në BE, ne nuk mund të pranojmë integrim duke u vetëshkatërruar”, shton Serjani.
Zgjerimi i përkufizimit të gjinisë përtej burrë dhe grua, për drejtuesin e Institutit për Besim dhe Angazhim Kulturor, Kaon Serjani, do të sillte kaos në shoqërinë shqiptare; ndërsa për Xheni Karajn e aleancës LGBTI është një respektim i dinjitetit njerëzor.
“Gjuha shqipe është një gjuhë gramatikore gjinore, kemi përemra që janë ose mashkullorë ose femërore, në përcaktimin e gjinive të reja pra as mashkull as femër, për shembull anglishtja e ka fjalën “they”, ne kemi ata/ato. Kjo do krijojë terma artificialë që do deformojnë gjuhën shqipe të paraqitur në dokumentacione. E lidhur me arsimin, ligji mund të kthehet në një indoktrimin ideologjik. Do të ketë pabarazi në sporte, apo rrezik real për vajzat”, thotë Serjani.
“Ky është një detyrim ligjor dhe ndërkombëtar i respektit, mbrojtjes dhe garantimit të të drejtave të njeriut, pa dallim për çdo individ”, shton Karaj.