Disa tifozë dhe analistë besuan se qendërmbrojtësi i Brentfordit, Nathan Collins, duhej të ishte ndëshkuar me karton të kuq kundër Manchester United, pas ndërhyrjes ndaj Bryan Mbeumo, por ka një shpjegim pse atij iu dha vetëm karton i verdhë dhe jo i kuq.
Manchester United pati një udhëtim të vështirë në Londrën Perëndimore të shtunën në mesditë, duke shtuar edhe më shumë presion dhe pikëpyetje mbi të ardhmen e Ruben Amorimit si trajner i “Djajve të Kuq”.
Sulmuesi i Brentfordit, Igor Thiago, hapi rezultatin pas vetëm tetë minutash në stadiumin “Gtech”, për të dyfishuar më pas avantazhin e skuadrës së tij pas 20 minutash lojë.
Në minutën e 71-të, United pati një mundësi për të rikthyer shpresat, pasi Nathan Collins shkaktoi një penallti ndaj Bryan Mbeumos brenda zonës.
Gjyqtari Craig Pawson akordoi penallti dhe i tregoi Collinsit karton të verdhë, vendim që më pas u rikonfirmua nga VAR-i.
Ish-portieri i Liverpoolit, Caoimhin Kelleher, ndali penalltinë e kapitenit të United, Bruno Fernandes, duke e mbajtur rezultatin në 2-1, përpara se Mathias Jensen të vuloste fitoren 3-1 për Brentfordin në kohën shtesë të pjesës së dytë.
Pas ndeshjes, tifozët dhe analistët shprehën habinë pse Collins nuk u përjashtua nga loja, duke pretenduar se ai pengoi një mundësi të qartë për shënim, pasi e tërhoqi nga pas ish-shokun e tij të skuadrës, Mbeumo.
Megjithatë, ka një shpjegim zyrtar. Liga Premier postoi një sqarim në platformën X, duke shpjeguar pse mbrojtësi anglez nuk u ndëshkua me të kuq.
“Vendimi i gjyqtarit për penallti u kontrollua dhe u konfirmua nga VAR-i, me Collins që u vlerësua se tërhoqi Mbeumon nga pas. VAR gjithashtu shqyrtoi vendimin për kartonin e verdhë të dhënë ndaj Collins dhe arriti në përfundimin se Mbeumo nuk kishte kontroll mbi topin”.
Ky rezultat e lë Manchester United në vendin e 13-të në Ligën Premier pas gjashtë ndeshjeve, me një bilanc prej dy fitoreve, një barazimi dhe tre humbjesh./Telegrafi/