Presidentja Vjosa Osmani, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takime me krerët e katër partive më të mëdha parlamentare shqiptare.
Në takime të ndara me të parën e shtetit morën pjesë kreu i LVV-së, Albin Kurti, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe i Ramush Haradinaj i AAK-së.
Të katërtit pas takimeve u ndalën para mediave, duke u shprehur se vendi duhet të gjejë mënyrën për të zhbllokuar çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve shtetërore.
Megjithatë, duket se nga Presidenca nuk janë ndarë aspak të kënaqur me këto takime.
Burime brenda zyrës së të parës së shtetit, kanë thënë për Klankosova.tv se liderët e partive kanë “insistuar në çështje të kota”.
Këto burime thanë se në asnjë prej takimeve nuk ka pasur diçka speciale.
Sipas tyre, “nuk ka ndonjë risi apo përafrim të qëndrimeve”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas takimit tha se në javën e fundit të korrikut duhet të konstituohet legjislatura e nëntë.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me konsultime të dendura dhe konstruktive dhe gjithashtu me idenë e konsensusit apo kompromisit ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re që i përgjigjet kuvendit të ri të Republikës”, tha mes tjerash ai.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha: “Edhe në këtë takim rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhje të krizës politike, sidomos tani që kemi edhe qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qartë rolet e secilit, në radhë të parë të koalicionit që ka dalë i pari në zgjedhje, të cilin e ka detyruar përveç tjerash edhe për gjetjen e kompromisit”.
Lumir Abdixhiku i LDK-së, pas takimit, tha: ““Thelbi i problemit është se i takon partisë së parë, grupit më të madh parlamentar, deputetit Kurti si prijës i këtij grupi që të propozojë, por njëkohësisht edhe të krijojë shumicën parlamentare dhe në këtë vijë ne presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike e më pas për respektim të domosdoshëm të procedurave kushtetuese që tashmë janë edhe rregulla ligjore”.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke folur për mediat pas takimit, u shpreh: “Ato zhvillimet pas 30 ditëshit munden me qenë shumë dramatike, pra gjykata mundet të na kthejë në pikën zero, thuajse nuk janë mbajtur zgjedhjet hiç. Kjo është një situatë serioze. Për shembull ka raste që gjykata thotë ata që janë zgjedhur e kanë humbur mandatin e vet, se nuk e kanë ushtruar funksionin në tërësi, krejt këtë brez politik e dërgon në shtëpi thotë ‘nuk e keni kry punën, shkoni në shtëpi’”. /Klankosova.tv
The post “Liderët e partive insistuan në çështje të kota, s’ka përafrim të qëndrimeve” appeared first on Klan Kosova.