Letra e Charlie Kirkut për Netanyahun

Izraeli dhe Irani: A do ketë rikthim në luftë?

Nga: Jordan King / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Letra e Charlie Kirkut drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është publikuar e plotë, pas akuzave se fillimisht ishte keqinterpretuar.


Letra ka qenë një pikë përplasjeje mes konservatorëve që kanë debatuar për pikëpamjet e Kirkut mbi Izraelin – që prej vrasjes së tij – ndërsa po mbante një fjalim në Jutah më 10 shtator.

Netanyahu citoi pjesë nga letra kur foli për Kirkun pas vrasjes së tij, por podkasterja konservatore, Candace Owens, e cila ishte mike me Kirkun, tha se Netanyahu “nuk e paraqiti letrën në kontekstin e duhur”.

Tani, New York Post e ka publikuar letrën të plotë, duke nxitur disa komentues të thonë se vetë narrativa e Owensit është hedhur poshtë.

Konteksti

Letra është pjesë e rëndësishme e debatit të vazhdueshëm mes konservatorëve për pikëpamjet e Kirkut mbi Izraelin dhe nëse ato po ndryshonin para vdekjes së tij. Newsweek e ka analizuar këtë në detaje. Newsweek gjithashtu ka mbledhur deklaratat e Kirkut për pikëpamjet e tij mbi Izraelin me fjalët e tij.

Pas vdekjes së Kirkut, Netanyahu tha për Fox News se ai ishte “një mik jashtëzakonisht i mirë” dhe shtoi: “(Kirk) më shkroi një letër më 2 maj të këtij viti, ku tha se ‘një nga kënaqësitë më të mëdha si i krishterë është të avokoj për Izraelin dhe të krijoj aleanca për të mbrojtur qytetërimin judeo-kristian’. Disa javë para tragjedisë e telefonova dhe e ftova në Izrael, por fatkeqësisht ajo vizitë nuk do të ndodhë”.

Owensi tha gjatë episodit të podkastit të saj, më 15 shtator, se Netanyahu po e “keqinterpreton keq” letrën.

“Ato fjali janë të vërteta, por unë i bëj thirrje Bibi Netanyahut, mikut të dashur të Charlie Kirkut, të publikojë të gjithë përmbajtjen e letrës”, tha ajo, “pra, mos fillo vetëm me dy fjali, publikoje të plotë”.

Ajo vazhdoi: “Po them që po e keqinterpreton rëndë përmbajtjen, sepse në maj Charlie ishte i shqetësuar për Izraelin dhe ndikimin e tij në politikën amerikane dhe se si po i shtynte gjëra që ai i konsideronte në kundërshtim me besimet e tij – si liria e fjalës, këtu në Amerikë”.

“Bibi po e paraqet thuajse Charlie në maj thjesht tha ‘hej, e di çfarë, dua t’i shkruaj një letër dashurie Izraelit’ … nuk ka ndodhur kështu”.

Tani, disa persona po thonë se letra e plotë hedh poshtë narrativën e Owensit, përfshirë aktivistin pro-Izraelit Gideon Askowitz, i cili tha në një postim në X, të martën: “Letra e Charlie Kirkut drejtuar Izraelit është një nga akuzat më të ashpra ndaj Candace Owensit. Letra është e mbushur me dashuri për Izraelin dhe me frustrim për dështimin e tij në mediat sociale”.

Po ashtu, një regjisor i pavarur australian, Nathan Livingstone, i cili drejton MilkBarTV-në dhe ndiqet nga konservatorë të njohur amerikanë si Kelly dhe Ashley St. Clair, tha: “Candace e kishte krejt gabim”.

Çfarë përmbante letra e Charlie Kirk drejtuar Benjamin Netanyahut?

Letra e Kirkur, e publikuar fillimisht nga New York Post, fillon me fjalinë: “Një nga kënaqësitë më të mëdha që kam si i krishterë është të avokoj për Izraelin dhe të krijoj aleanca me hebrenjtë në luftën për të mbrojtur qytetërimin judeo-kristian”.

Ai vazhdoi duke thënë: “Më vjen keq të raportoj se tendencat anti-Izrael dhe antisemitike janë në nivelet më të larta ndonjëherë në rrjetet sociale. Këto ndjenja negative më pas kalojnë në kampuset universitare dhe madje depërtojnë edhe në komunitetin konservator të MAGA-s”.

Pjesa tjetër e letrës me shtatë faqe përfshin argumentin e Kirkut se Izraeli duhet të “ristrukturojë plotësisht strategjinë e vet të luftës informative”.

Kirk përshkruan pyetjet kryesore që i parashtrohen shpesh gjatë turneve në kampuse dhe paralajmëroi: “Izraeli po shkatërrohet në rrjetet sociale dhe po humb gjeneratat e reja të amerikanëve, madje edhe mes konservatorëve MAGA”.

“Më akuzojnë se jam një avokat i paguar për Izraelin kur e mbroj atë”, shkroi ai, “por, nëse nuk e mbroj Izraelin mjaftueshëm, më akuzojnë se jam antisemit. E di që ju po përballeni me një luftë në shtatë fronte dhe ankesat e mia zbehen përballë kësaj”.

“Por, po përpiqem t’ju them se Izraeli po humb mbështetje edhe në qarqet konservatore”, tha Kirk. “Ky duhet të jetë një alarm i nivelit të pestë”.

Kirk gjithashtu i bën thirrje Netanyahut që të angazhohet në “një komunikim efektiv që e paraqet Izraelin si një aleat të ngushtë të Amerikës”.

“Do të kishte qenë mirë të shihje një aeroplan izraelit me yllin e Davidit të mbërrinte në ShBA i mbushur me ndihma pas një uragani”, tha Kirk. “A ka ofruar Izraeli ndonjë ndihmë për ShBA-në në formën e teknologjisë për mbrojtjen e kufirit tonë apo për mburojën raketore për të cilën ka folur presidenti Trump”?

“Konsumatorët e rrjeteve sociale janë të vetëdijshëm për miliardat që ia dërgojmë Izraelit, por janë më pak të vetëdijshëm për atë që merr Amerika në këmbim”, shtoi ai.

Aktivisti konservator i tha Netanyahut se “çdo gjë që është shkruar këtu vjen nga një dashuri e thellë për Izraelin dhe popullin hebre”.

“Mendoj se është e rëndësishme të jesh brutalisht i sinqertë me ata që i do”, tha ai.

Letra përfundon me fjalët: “Sipas mendimit tim, ju po e humbni luftën e informacionit, e cila përfundimisht do të përkthehet në më pak mbështetje politike dhe ushtarake nga Amerika. Toka e Shenjtë është kaq e rëndësishme për jetën time, dhe më dhemb të shoh mbështetjen për Izraelin duke u venitur”. /Telegrafi/