Në Theatelet në Paris, Ousmane Dembele u shpall fitues i Topit të Artë 2025, duke u njohur si lojtari më i mirë në planet.
Rruga drejt këtij momenti ishte e gjatë dhe e vështirë, duke përfshirë sfidat, kritikat dhe pengesat, derisa francezi arriti të shfaqë potencialin e tij të vërtetë te Paris Saint-Germain nën drejtimin e Luis Enrique.
Fillimet në periferi të Parisit
Shumë afër shtëpisë së tij, vetëm pesë minuta larg, Evreux FC 27 pa talentin e ri të lagjes së La Madeleine.
Trajneri Abdel Bouchelaghem kujton: “Ai ndihej i rehatshëm me të dyja këmbët. Askush nuk e dinte nëse luante me të majtën apo të djathtën. E dinim që do të arrinte majat, për sa kohë që nuk do të kishte pengesa”.
Dembele te Evreux FC 27, i ulur poshtë (i fundit nga e djathta)
Hapat e parë në profesionizëm
Klubi i parë profesional që besoi tek Dembele ishte Rennes. Në sezonin 2015/2016, vetëm 18-vjeçar, ai u bë lojtari më i ri që shënoi 12 gola në njërën nga pesë ligat kryesore të Evropës.
“Po luaj dhe po argëtohem, po jap gjithçka për të treguar potencialin tim”, tha ai atëherë.
Shkathtësia e tij në driblim, pasim dhe krijimin e hapësirave e bëri atë një yll në rritje.
Dembele te Renes
Kërcimi në elitë dhe sfidat te Barcelona
Pasi shkëlqeu në Rennes, Borussia Dortmund bleu Dembelen për mbi 30 milionë euro, ku vetëm Neymar dhe Messi tentuan më shumë driblime në sezonin 2016/17.
Në vetëm një sezon, ai shënoi 10 gola dhe dha 20 asiste, duke tërhequr vëmendjen e Barcelonës, e cila pagoi mbi 130 milionë euro për të, duke e bërë transferimin më të shtrenjtë të klubit në atë kohë.
Lëndimet e shumta – 12 sipas Transfermarkt – e mbajtën jashtë për 850 ditë, por francezi nuk u dorëzua.
Dembele te Barcelona
Kalimi te PSG dhe kulmi i karrierës
Klubi francez aktivizoi klauzolën e lirimit prej 50 milionë eurosh nga Barcelona. Nën drejtimin e Luis Enrique, Dembele gjeti identitetin e tij të vërtetë dhe shkëlqeu në çdo ndeshje.
Vetëm sezonin e kaluar, ai shënoi 37 gola dhe dha 14 asiste, duke ndihmuar PSG-në të fitonte Ligue 1, Kupën e Francës, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Francës dhe Superkupën UEFA.
Dembele te PSG
Kombëtarja dhe trofetë ndërkombëtarë
Dembele është gjithashtu kampion bote me Francën, duke ngritur trofeun më prestigjioz në nivel ndërkombëtar në Rusi 2018 dhe duke luajtur 57 ndeshje për kombëtaren.
Trajneri Didier Deschamps e ka vlerësuar lart: “Ai pati një sezon të shkëlqyer, ishte vendimtar për ne dhe vendosi standardin shumë më lart këtë sezon”.
Rruga e Dembeles tregon një progres të jashtëzakonshëm: nga fushat modeste të lagjes së tij në Paris, te kulmi i futbollit botëror me Topin e Artë në duart e tij, një dëshmi e talentit, punës së palodhur dhe vendosmërisë së një prej yjeve më të mëdhenj të futbollit modern. /Telegrafi/