Wednesday, April 8, 2026
spot_img
HomeLajmeLeje në letër, rrezik në terren: Çfarë parashihte projekti buzë rrugës që...

Leje në letër, rrezik në terren: Çfarë parashihte projekti buzë rrugës që u shemb në Veternik? (VIDEO)

Brenda pak minutash gjithçka u rrënua; u dëgjua vetëm oshtima e dheut dhe thirrja “ndale kerrin”, e më pas një pjesë e rrugës “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë u shemb.

Ngjarja ndodhi në zonën “Prishtina e Re” më 29 mars të këtij viti, ku po ndërtohet kompleksi shumëbanesor “Klub Invest”, i pajisur me leje ndërtimi në vitin 2025.

Dokumentet e siguruara nga KIKS Kosova tregojnë se ndërhyrjet më kritike ishin planifikuar pikërisht buzë rrugës, aty ku edhe ndodhi shembja. Projekti është bazuar në Planin Rregullues Urban për bllokun A4 (2013), por në vizatime shihet se njëra lamelë afrohet shumë pranë rrugës dhe përfshin gërmime të thella nëntokësore që depërtojnë drejt trupit të saj.

Leja ndërtimore që e posedon Kiks Kosova, është lëshuar në shtator 2025 për “Klub Invest” sh.p.k. Kompleksi përfshin disa lamela, ndërsa në këtë fazë dominojnë L4 dhe L5. L4 ndodhet më në brendësi, me 3 kate nëntokësore, përdhesë dhe 14 kate mbi tokë.

Ndërsa L5, e vendosur buzë rrugës, konsiderohet më problematikja me 3 kate nëntokësore dhe 13 kate mbi tokë, e cila është shumë pranë vijës së rrugës. Pikërisht në këtë pjesë janë kryer gërmimet më të thella dhe janë paraparë sisteme mbajtëse të tokës.

Projekti parashihte stabilizim të gropës me sisteme të avancuara, por ndërhyrja kaq afër rrugës e rritte dukshëm ndjeshmërinë e terrenit. Vetëm për L4 dhe L5 janë planifikuar mbi 20 mijë metra katrorë ndërtim dhe mbi 100 vende parkimi nëntokësore.

Sipas dokumenteve, për këtë leje ndërtimi janë paguar rreth 237 mijë euro në Komunën e Prishtinës.

Në thelb, bëhet fjalë për një projekt me ndërhyrje të thella pranë infrastrukturës rrugore, dhe pikërisht në segmentin më të ndjeshëm është raportuar rrëshqitja e dheut që çoi në shembjen e rrugës.

Reagimet ishin të shumta nga politika dhe profesionistët. Reagoi e para edhe Oda e Inxhinierëve të Kosovës, ndonëse kryetari i saj, Arsim Rapuca, rezulton pjesë e ekipit projektues.

“Po, kompania ku unë jam aksionar ka qëlluar të jetë kompani projektuese e projektit të strukturës së ndërtesës dhe projektit të gropës ndërtimore, ndërsa hulumtimet gjeoteknike dhe gjeologjike janë realizuar nga kompania Geotest Engineering. Kjo kompani ka dhënë në detaje shtresat e tokës, karakteristikat e shtresave të tokës, dhe pastaj shumë më i lehtë ka qenë edhe projektimi. Projektimi është realizuar në përputhje të plotë me Eurokodin 7… janë marrë të gjitha parametrat dhe është realizuar mbrojtja e gropës ndërtimore… me pilota dhe ankera… gjë që nuk ka ndodhur”, ka thënë Rapuca.

Sipas tij, problemi nuk qëndron te projekti, por te mënyra se si është zbatuar në terren. Ai thotë se nga ajo që shihet në vendngjarje, projekti nuk është respektuar.

“Nga fotot që i shohim, shihet se nuk është zbatuar projekti. Nuk është realizuar në të gjitha anët… nuk është bërë vendosja e ankerave në dy radhë, siç janë në projekt, dhe është e pamundur të qëndrojë gropa në atë mënyrë. Kjo ka qenë rrezik serioz për jetën e njerëzve”.

Rapuca shton se përgjegjësia bie mbi mbikëqyrjen dhe ekzekutimin, duke theksuar se projekti nuk guxon të ndryshohet në praktikë.

“Me përfundimin e projektit dhe marrjes së lejes ndërtimore, puna jonë ka përfunduar. Kompania që ka bërë mbikëqyrjen nuk është dashur të tolerojë devijime nga projekti… Nuk mund të devijohet një projekt kryesor që i respekton standardet dhe të bëhet diçka tjetër… sepse krijohet rrezik për sigurinë publike”, u shpreh ai.

Rasti i Veternikut ka ndodhur tash që ndërtimi në Prishtinë ka marrë përmasa të mëdha. Vetëm gjatë vitit 2025 janë lëshuar 160 leje ndërtimi, me mbi 1.5 milion metra katrorë ndërtim dhe mbi 15 milionë euro të hyra për komunën.

Në vitin 2024 janë dhënë 168 leje me rreth 948 mijë metra katrorë dhe 9.6 milionë euro të hyra. Në total, gjatë katër viteve të fundit, Komuna e Prishtinës ka lëshuar 657 leje ndërtimi, me mbi 4.3 milionë metra katrorë dhe rreth 45.5 milionë euro të hyra në buxhet.

Ndiqni më poshtë kronikat e realizuara nga Kiks Kosova për këtë çështje:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT